Ismail Qemali

themeluesi dhe Kryeministri i parë i Shqipërisë (1844–1919)
(Përcjellë nga Ismail Qemaili)
This is the stable version, checked on 4 mars 2024. 1 pending change awaits review.

Ismail Qemali Bej (turqisht: İsmail Kemal Bey; Vlorë, 24 janar 1844Peruxhia, 26 janar 1919) ka punuar si nëpunës dhe deputet i Perandorisë Osmane, botues, veprimtar i çështjes kombëtare dhe themelues i Shtetit Shqiptar.

Ismail Qemali
Portreti i Ismail Qemalit
Kryeministri i parë i Shqipërisë
Në detyrë
4 Dhjetor 1912 – 22 Janar 1914
Paraprirë ngaZyra e themeluar
Pasuar ngaTurhan Përmeti
Ministri i parë i Jashtëm i Shqipërisë
Në detyrë
4 Dhjetor 1912 – Qershor 1913
Paraprirë ngaZyra e themeluar
Pasuar ngaMufid Libohova
Të dhëna vetjake
U lind më24 Janar 1844
Vlorë, Perandoria Osmane, (sot Shqipëria)
Vdiq më26 Janar 1919
Peruxhia, Mbretëria e Italisë
NënshtetësiaShqiptar
Partia politikei pa shoqëruar
Bashkëshortja/etNasipe Hanëmi
Sumeli Kleoniqi
Fëmijët10
ArsimimiShkolla Juridike e Stambollit
PunësimiPolitikan
Çmimet Hero i Popullit
Nënshkrimi

Qe autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më pas shërbeu si Kryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë nga 1912 deri në 1914.

Vinte prej familjet më të hershme të bejlerëve, por degëzimi i tij nuk qe aq i kamur që nga kryengritjet e Tanzimatit ku u mori pjesë i ati. I përkrahur prej fisit të tij, u shkollua dhe filloi karrierën si nëpunës civil i perandorisë. Pasi u mor nën patronazh nga sadrazemi i ardhshëm Mid'hat Pasha, fitoi përvojë në nivelet më të larta të administratës shtetërore osmane, për shkak të zbatimit në terren të Tanzimatit e deri duke kontribuar në hartimin e Kushtetutës Osmane. Duke parë ngërçet e vazhdueshme dhe duke e ndjerë veten të rrezikuar nga bindjet e tij, iku në syrgjyn.

U kthye pas Revolucionit të 1908, kur nisi periudha e dytë kushtetuese e perandorisë dhe u zgjodh deputet. Shumë shpejt vërejti rritjen e tensioneve nga Xhonturqit dhe kundërshtoi fushatat që ndërmorën ndaj vilajeteve shqiptare. Bashkëpunoi për kryengritjen përfundimtare të vitit 1912 në ujdi me kolegët shqiptarë në parlament pa dallim partie që solli si rrjedhoi njohjen e Vilajetit Shqiptar. Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike u nis nga Stambolli drejt Vjenës për të kërkuar garanci për pavarësimin e Shqipërisë. I tërhequr nga jeta politike, më 1917 i kumtoi kujtimet e tij gazetarit britanik Sommerville Story, të cilat u botuan më 1920 për herë të parë në Londër me titullin The Memoirs of Ismail Kemal Bey.

Jetëshkrimi

Redakto

Vogëlia dhe familja

Redakto

Lindi si Ismail Hakki bej Vlora, në janar[1] (18 prill;[2] 16 tetor[3]) të 1844 në haremllëkun e sarajeve të familjes në Vlorë, i biri i Mahmud bej Vlorës dhe Hedije hanëm Asllanpashali.[4] Nga i ati vinte nga oxhaku i sanxhakbejlerëve të trashëgueshëm të Vlorës që i dhanë perandorisë shumë personalitete dhe ndër vezirët e fundëm shqiptarë Ferid pashë Vlorën, ndërsa nga e ëma vinte nga oxhaku i Asllan Pashallinjve.[5] Kur ishte 4 vjeç, më 1848 Vlorajt u syrgjynosën, burrat në Konjë e gratë me fëmijët në Selanik. E gjithë pasuria iu sekuestrua si pasojë e kryengritjes së 1847.[2]

Selanik i vdes vëllai i vogël, Sulejmani, i cili u varros në oborrin e xhamisë Ortaj. Ismaili nisi shkollën fillore ku mësoi turqishten dhe pasi u kthyen në Vlorë në 1852, vijoi shkollimin me mësues privat. Thelloi dijet e veta në turqishte, mësoi italishten nga një ikanak italian dhe më tej e edukuan i ati dhe e ëma.[6] Më 1855 u regjistrua në gjimnazin «Zosimea» në Janinë, ku ishte i vetmi nxënës mysliman në atë kohë, kaloi aty greqishten e vjetër, latinishten; mori njohuri në matematikë e fizikë dhe privatisht arabisht e frëngjisht. Pasi mori pjesë në shtypjen e revoltës së Epirit, i shpreh dëshirën e ungjmadhit, Ismail pashë Plasës dhe ministrit të Jashtëm Fuad pashës që i biri të shkonte në Stamboll.[7] Sipas regjistrave të «Zosimeas», Ismail Qemali i dha provimet e vitit të fundit më 15 korrik 1859.

Karriera në administratën osmane

Redakto

Në majin e vitit 1860 shkoi drejt Stambollit, ku banoi tek i afërmi i tij nga e ëma pojanasin Mustafa pashë Gjiritin, një ish-sadrazem. Fuad Pasha i dha një punë në zyrën e përkthimeve të Ministrisë së Jashtme, ndërkohë që vazhdoi dhe studimet për drejtësi me një prusian të konvertuar quajtur Emin Efendi - drejtor i bibliotekës së ministrisë. Pasi iu desht të kthehej në Janinë, valiu i vilajetit Aqif Pasha e mori si ndihmësdrejtor të çështjeve politike; shërbeu në të njëjtin post edhe me valinjtë pasues Dervish Pasha e Ahmed Pasha deri më 1864.[8] Me ftesë të ungjit të tij valiut të Thesalisë, Ismail Rahmi Pashës, u emërua shef i kabinetit të tij. Jo shumë kohë më pas, më 1865 u rikthye në zyrën e përkthimeve të Portës së Lartë. Vitin pasues i vdes i ati; në shenjë mirësie miku i t'et asokohe sadrazemi Fuad Pasha i gatiti emërimin si Sekretar i Përgjithshëm në Janinë. Atë kohë i vjen ftesa nga Mid'hat Pasha, asokohe vali i vilajetit të Danubit, për një post në Rusçuk - qendra e vilajetit.[9] Në mars-dhjetor 1867 ishte gjithashtu redaktor i një reviste turko-bullgare që dilte në Rusçuk, titulluar Istoènik Mnenija/Mecra-i Efkâr (Rryma e ideve), që pati vetëm dy numra, dhe që përmbante në veçanti artikuj mbi historinë e Perandorisë osmane, kozmografinë, etikën dhe tekste të marra nga Volteri.[10]

Me emërimin e eprorit të tij në Şurâ-yı Devlet azası (anëtar i Këshillit të Shtetit), Ismail beu e ndoqi në kryeqytet më 1867. Pasi Mid'hat Pasha u emërua në Bagdad, Ismail Beut i dhanë emërimin e valiut të Varnës ku nisi projektin për portin.[11] Në prill të 1870 iu dha roli i kryetarit të Komisionit Evropian të Danubit, si delegat osman.[12] Më 1873 së bashku me ish-konsullin anglez në Varna, z. Mayers, të ngulur në Stamboll u bënë ortakë në një sipërmarrje minierash dhe për më se një vit hapën një minierë linjiti në ishullin Imbros, ku kaloi pjesën më të madhe të kohës.[13] Kur Mid'hat Pasha ishte ministër Drejtësie (1873-1876) e mori në Stamboll si sekretar privat.[2]

 
Ismail Qemali në moshë të re

Më 1876 pas një gjakderdhjeje në viset bullgare, Porta e ngarkoi Ismail Beun që të studiojë dosjet dhe qe në krye të komisioneve hetimore të Filopopolit për ngjarjen. Pas zgjedhjes për së dyti të Mid'hat Pashës sadrazem, thirrej të merrte pjesë në komisionin e posaçëm për Kushtetutën e porsashpallur.[14] U emërua Kryesekretar i Seksionit të Jashtëm të Kryeministrisë.[15] Pas rënies së kabinetit të dytë dhe burgosjes së Mid'hat Pashës, bashkëpunëtorët e ngushtë të këtij u syrgjynosën në Anadoll, Ismail Qemali përkatësisht në Kytahja. Pas një marrëveshjeje me një firmë tregtare nga Hamburgu për të blerë dru bushi nga pylli i tij në Vlorë, mundi të siguronte të ardhurat për të jetuar dhe të blinte një pronë të madhe në afërsi të Eskishehrit. Pas shtatë viteve të syrgjynit, u njoftua nga sadrazemi Said Pasha se qe emëruar vali në Mardin, Mesopotami. Pasi iu dha mundësia që të zgjidhte ndonjë post tjetër nga ai në Mardin, Ismail Beu zgjodhi të ishte në krye të sanxhakutBolusë më 1884.[16] Më 1890 paraqiti tek Porta dorëheqjen nga posti, por jo shumë kohë më pas u caktua vali i vilajetit të Beirutit, ku pranë tij shërbente edhe kolegu i tij i Komisionit të Filipopolit, Vaso Pasha. Ishte në Beirut ditët kur kolegu dhe bashkëatdhetari i tij u ligështua nga zemra dhe vdiq.[17]

Më 1892 i paraqiti Sulltan Abdyl Hamidit një memorandum, i cili propozonte ndër të tjera federalizimin e Rumelisë.[18] Pas një tjetër studimi, kësaj radhe për çështjen e Egjiptit, u emërua vali i Gjiritit po atë vit.[19] Më 1897 u thirr nga Porta në kryeqytet, gjithnjë në vëmendjen e Pallatit duke shtuar edhe artikujt liberalë që kish botuar në gazetën e tij Mexhra Efqiar, u emërua Şurâ-yı Devlet azası.[20][2]

Arratisja nga Perandoria, përpjekja për një komplot

Redakto

Pasi u emërua vali në Tripoli, provinca më e qetë e perandorisë asokoh, kur si në Rumeli dhe në Anadoll kishte trazira, i mikluar nga nderimet dhe i përgëzuar për besnikërinë, nisi të dyshonte dhe t'i trembej emërimit. Më 1 maj 1900, pasi duhej të nisej për të marrë postin e tij, u arratis nën mbrojtjen e britanikëve.[21][22] Shkoi në Athinë, ku kontakti me politikanët arbërorë po i ndjellnin nevojën për rimëkëmbjen e vendit të origjinës.[23] Më pas kaloi në Napoli dhe pas saj në Romë, ku u takua me veteranin Krispin.

Më tej u vendos në LozanëZvicrës, por i shqetësuar nga ndonjë atentat i mundshëm, shkoi drejt Parisit. Pasi u mor vesh me Faik bej Konicën dhe u vendos në Bruksel, mori frerët duke drejtuar botimin e Albanisë. Por marrëdhëniet me Konicën nuk zgjatën shumë, ai u largua nga Brukseli dhe pas pak kohe Ismail Beu u detyrua të hapte një tjetër gazetë Le Salut de l'Albanie e që shtypej në shqip, turqisht e greqisht. Me ftesën e kolonisë shqiptare të Egjiptit, shkoi në Kajro ku u prit nga Kedivi. Pas një trilli të sulltanit, u dënua me vdekje në mungesë, me humbjen e të drejtave civile, gradës, meritave, dekoratave dhe pronave.[24] Në shkurt të 1902 mori pjesë në Kongresin e organizuar në Paris nga Princi Sabahedin dhe Lutfullah, si përfaqësues i shqiptarëve.

Në kontakt me marshallin Rexhep pashë Matin, autoritetet angleze dhe princin Sabahedin po përpiqej të organizonte njëfarë komploti që të bindte sulltanin për reformat që duheshin ndërmarrë. Plani nuk u vu në jetë pasi rrethanat ndërkombëtare nuk e lejonin.[25][26]

Rikthimi si deputet, aktiviteti patriotik, mbledhjet për kryengritje

Redakto

Pas Revolucionit Xhonturk më 1908 dhe rishpalljes së Kushtetutës më 21 korrik, Qemali u kthye nga mërgimi. Më 17 dhjetor të po atij viti parlamenti u hap dhe Qemali u zgjodh si deputet i Beratit, pavarësisht sa kishin luftuar xhonturqit që të mos zgjidhej. Me 26 deputetët shqiptarë[27] rreshtohet me partinë opozitare “Hyrrjet ve ltilaf” (“Marrëveshje e Liri”) për decentralizimin e perandorisë dhe lirinë e mësimdhënies së gjuhëve kombëtare.[28] Gushtin e 1910 udhëtoi nëpër Evropë dhe kërkonte "autonomi administrative" për shqiptarët në kushtet e brutalitetit të xhonturqve.[29] Verën e 1911 shkoi në CetinjeMalit të Zi te krerët e malësorëve, ku kishin gjetur strehë pas fushatës së Shefqet Turgut Pashës dhe kryengritjes së tyre. Pas një kuvendi në Gërçe, nënshkruan një memorandum me nxitjen e tij, i cili përmbante 12 pika me kërkesa kombëtare, duke shprehur edhe njëherë zotimin për lidhje me perandorinë.[30]

Me politikat kundër kombësive të partisë xhonturke në pushtet, dhe shqiptarëve në veçanti të cilëve u kishin nisur katër ekspedita ndëshkimore, deputetët opozitarë u vetëdijësuan se pa kryengritje Porta nuk do të bindej t'i jepeshin kombit shqiptar të drejtat kombëtare. Përveç deputetit të Pejës, Ibrahim Efendiut dhe atij të Elbasanit, Haxhi Ali Efendiut deputetë, anëtarë të parisë dhe personalitete u mblodhën në shtëpinë e Reshit Aqif Pashës, e një herë tjetër në shtëpinë e Halil pashë Alizoti-Gjirokastrës dhe disa herë në shtëpinë e Syrja bej Vlorës.[31] Pasi zërat e Ismail Qemalit, Hasan bej Prishtinës e Myfid bej Libohovës që qeveria t'i thërriste arsyes dhe mos hidhte farën e përçarjes, u përbuzën dhe nuk u la vend për arsyetim, kësodore deputetët shqiptarë më vete u mblodhën për t'u besatuar në shpëtimin e kombit dhe atdheut.

Mbledhja në lagjen Taksim

Redakto

Pas një takimi në hotelin "Pera Palace" mes Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, më 12 janar u mblodhën në shtëpinë e Syrja bej Vlorës në lagjen "Taksim" deputetët e Beratit Ismail Beu dhe Aziz pashë Vrioni, deputeti i Gjirokastrës Myfid bej Libohova, deputeti i Durrësit Esad pashë Toptani dhe i Prishtinës, Hasan Beu. Deputetët shqiptarë pasi kuvenduan mbi masat që kërkonin nevoja e rrethanave lidhën besën, duke u betuar mbi Kuran për sakrificat e mëtejshme që do të ndërmerreshin në dobi të kombit e atdheut të tyre.[31] Ismail Qemali dha fjalën se do të ndihmonte me armë dhe të holla që kryengritja mbarëshqiptare ta mbante nën trysni Portën deri kur të bindej për dhënien e lirive kombëtare. Lidhja mes lëvizjes në terren dhe Ismail Qemalit jashtë shtetit u vendos të mbahej përmes konsullit britanik në Shkup.[32]

Bashkëpunimi me diplomacinë austro-hungareze, kolonia shqiptare në Rumani dhe ndihma rumune

Redakto

Kushërinjtë e tij, Syrja beu me të birin, bënë përpjekje të mëdha me diplomacinë austro-hungareze dhe përgatitjen e frymës për të bërë mbledhjen e shpalljes së autonomisë dhe më pas pavarësisë.[33] Ismail Qemali u nis më 2 nëntor me avulloren Regele Carol që bënte linjën Stamboll-Kostancë, së bashku me të birin Qazimin dhe Luigj Gurakuqin. Autoritetet austro-hungareze ishin në dijeni të lëvizjeve të tij prej vetë ambasadorit të tyre në Stamboll, Markezi János von Pallavicini.[34] Më 3 nëntor mbërritën dhe u vendosën në hotelin Kontinental në Bukuresht, në kryeqytetin rumun takoi një përfaqësi të kolonisë shqiptare nën drejtimin e Pandeli Evangjelit.[35] Në bazë të një projekt-rezolute të parapërgatitur nga Ismail Beu dhe Gurakuqi para se të venin në Bukuresht, u shtruan bisedimet; rezoluta që doli pas konsultimeve të fundit më 5 nëntor ishte e përgjithshme dhe e mjegullt: nuk dihej se ç'trajtë do të merrte realiteti politik përgjatë dhe pas Luftës Ballkanike që kishte shpërthyer, për osmanët thuhej se "qeveria osmane ndodhet në pamundësi të mbajë administrimin e vendit." Mbrëmjen e po asaj date, Ismail beu u takua me ambasadorin e Austro-Hungarisë në Rumani, Karl Emil Prinz zu Fuerstenberg; ndërkohë që në Vjenë gazeta gjysmëzyrtare Fremdeblatt kishte botuar një paralajmërim të Ministrisë së Jashtme perandorake e mbretërore ndaj Serbisë që nuk duhej të shpërfillte "një faktor kaq të rëndësishëm të situatës ballkanike, siç është ndjenja shqiptare e pavarësisë."[36] Sipas Vllamasit, ministri i Brendshëm rumun Ionesku, përmes Kristo Meksit i kishte dhënë Ismail Beut një çek prej 500.000 (500[37]) frangash ari për shpenzimet e rastit.[38] Beratti në kujtimet nga ajo kohë shkruan Ismaili në fakt u takua me Ioneskun, i cili "jo vetëm i shprehu simpati me fjalë të ëmbla, por e trimëroi, e siguroi për ndihmën e Rumanisë dhe në mënyrë efektive u tregua përkrahës i lëvizjes shqiptare që po fillonte." Pasi takoi edhe kryediplomatin osman pasditen e 6 nëntorit, morën fund takimet e Ismail Beut në kryeqytetin rumun.[37]

Të nesërmen pasdite u nis në orën 5 e 30 me tren nga Bukureshti drejt Vjenës, ku u vendos në Grand Hotel. Dihej vetëm se ishte i shoqëruar nga "sekretari i tij", të cilit s'i dihej emri - më 16 gusht 1912 konsulli austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, i referohej Gurakuqit si "sekretar" i Ismail Qemalit.[37] Më 9 nëntor u prit nga gjeneral-majori Blasius Schemua, shef i shtabit të përgjithshëm të forcave austro-hungareze, në Budapest. Më 10 nëntor Ismail Beu u takua me ambasadorin britanik në Vjenë, Sir Fairfax Cartwright, të cilit i shpjegoi idenë se "Shqipëria mund të ndahej në kantone fisnore," si të modelit zviceran, me një princ të zgjedhur nga Evropa dhe se natyrshëm Ballkani do të ndahej në dy grupe që pashmangshmërisht do të ishin Bullgaria, Serbia e Mali i Zi nga njëra anë dhe Rumania, Shqipëria e Greqia nga tjetra.[39] Më 12 nëntor u shfaq në Ballplatz, ku u takua me zyrtarë të ministrisë, por Pallavicini i rekomandonte Vjenës që nga ky personazh politik.[29] Mbrëmjen e po asaj date mori trenin për Budapest, ku u vendos në hotelin Royal. Ditën në vijim takoi mikun e tij kontin Andrashi, mikun e këtij të fundit Kontin Janos Hadik ish-nënsekretar i shtetit. Konti Hadik i bëri të mundur që të takohej me ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë Kontin von Berthold, i cili:[40]

"miratoi pikëpamjet e mia për çështjen kombëtare dhe pranoi kërkesën e vetme që i bëra: të më vinte në dispozicion një anije, e cila do të më bënte të mundur të arrija në portin e parë shqiptar para mbërritjes së ushtrisë serbe."

Më 17 nëntor u kthye në Vienë, disa nga planet ndryshuan dhe nuk e kishte më të mundur që të shkonte në Romë. Së bashku me Gurakuqin mori trenin ekspres për në Trieste mëngjesin e 19 nëntorit.[41] Në stacionin e trenit në Trieste, Ismail Beun e priti Mark Kakarriqi, që e shoqëroi në hotelin Excelsior Palace ku dhe priti shqiptarët e Rumanisë me të cilët e kishin lënë që të bëheshin bashkë. Nga ora dy rreth 15 shqiptarë i hypën avullores Brünn të linjës Lloyd dhe në det kaloi në një vapor tjetër të linjës, Graf Wurmbrand diku pranë Kepit të Rodonit. Avullorja Wurmbrand mbërriti në Durrës mëngjesin e datës 21 nëntor.[42]

Mbërritja

Redakto

Pasi ishte takuar me kreun austro-hungarez të shtatmadhorisë i telegrafoi beledijes së Vlorës ku e priste i biri, Et'hemi, që me 9 nëntor "Arriverai premier bateau. Avenir Albanie assuré."[43] dhe siç vijon i përkthyer në AQSH:[44]

"Ju porosis qi tyke i mbështetur fatit t`atdheut të punoni së bashku e si vëllezën, të merreni me rregullimin e punëvet të përgjithshme, edhe të ruani qetësiën. I epni rrethevet lajmin e gëzueshme. Ju falem të gjithëve atënisht."

Me të mbërritur në Durrës i shprehu synimet e veta nënkonsullit austro-hungarez Von Rudnay. Klima për këtë nismë ishte parapërgatitur nga Syrjai dhe i biri, pasojë e së cilës ishte edhe marrja në mbrojtje e Ismail Beut nga zëvendësmytesarifi Hamid bej Toptani dhe 500 rezervistët nën komandën e tij. U vendos në hotelin Kostandinopoja pronë e Aziz pashë Vrionit, ku të nesërmen më 22 nëntor priti parinë e Durrësit që t'u shpjegonte situatën, mytesarifi beratas Mahmud Mahiri. Mëngjesin e 23 nëntorit, me një karvan prej 40-50 vetash, i shoqëruar nga Dom Nikollë Kaçorrin si përfaqësues i katolikëve shqiptarë me urdhrin e arqipeshkvit të Durrësit, Abdi e Murat bej Toptani si delegatë të Tiranës, Mustafa Merlika që përfaqësonte Krujën dhe Qemal Karaosmanin që kishte ardhur nga Berati t'i sillte kuaj karvanit për rrugëtimin nga çifligu i Aziz Pashës, u nisën.[45] Në fillim valiu i Janinës, Esat Pasha, lëshoi urdhër arresti; si pasojë atë natë u ndal në Çermë tek Dervish bej Biçakçiu dhe biseduan se si të shmangej rruga e Lushnjës, dhe kaloi nga Divjaka. Gjatë rrugëtimit ultësira pjesë-pjesë moçalore e Myzeqesë qe përmbytur nga reshjet që po bienin dhe ishte e pakalueshme, kësodore edhe natën e datës 24 e kaluan duke bujtur në Petoshanj të Libofshës[46] në konakun e Nedim bej Leskovikut.[47] Me ndërhyrjen e Myfid Beut dhe kadiut të Janinës, Esat pashë Janina e tërhoqi urdhërin dhe madje udhëzonte organet që Ismail Beu të pritej njerëzisht. Me datë 25 hëngrën drekë në Fier tek Omer pashë Vrioni dhe u lajmërua nga zyra telegrafike se ushtritë serbe po ia behnin në Durrës dhe Elbasan. Ismail Qemali i udhëzonte: "T'i pritni mirë, me flamurin kombëtar në dorë dhe deklaroni se i pritni si mysafirët e Shqipërisë". Karvani mund të ishte ndarë rrugës, por Ismail Qemali mbërriti në Vlorë me shumë gjasë më 25 nëntor; udhëpërshkrues të tjerë japin edhe datat e dy ditëve pasardhëse.[2] Me t'u përshëndetur nga mësuesi Jani Minga, Ismaili u ndal për darkë te shtëpia e Hasan agë Sharrës në lagjen Muradie (Xhamia e Muradies).[46]

Mbledhja e mëvetësisë dhe formimi i qeverisë

Redakto
 
28 nëntor 1913 Me rastin e 1-vjetorit të pavarsisë

Pasi kushëriri i tij i dytë, mytesarifi i Vlorës Xhemil beu dhe i biri si kapiten i milicisë vendase, Et'hem beu, kishin përgatitur terrenin dhe organizimin e kuvendit duke lajmëruar delegatët.[48] Të gjithë delegatët që kishte me vete u vendosën në selamllëkun e sarajeve të Vlorajve, ku dhe u mbajt Kuvendi që u shpall mëvetësia më 28 nëntor, të cilin e çeli Ismail Qemali me një fjalim.dhe më pas firmosi me siglën Ismaïl Kemal në rezolutën e përpiluar nga sekretarët e mbledhjes, shqip nga Gurakuqi e osmanisht nga Shefqet Dajiu. Kryetar i qeverisë së përtashme u zgjodh Ismaili, ndërsa Kaçorri nënkryetar. Anëtarët e qeverisë u lanë për t'u zgjedhur më 4 dhjetor pasi të vinin edhe delegatët e viseve të tjera,[49][50][51] dhe kryetari proklamoi mëvetësinë duke valvitur flamurin në njërën prej dritareve qendrore të selamllëkut të Vlorajve pak pa perënduar.[52]

Qeverisja, misionet diplomatike

Redakto

Marsin e 1913 u takua me Dukën de Monpensier, që kishte dëshirë të bëhej kandidat i fronit të Shqipërisë, i cili kishte ardhur me jahtin e tij me flamur britanik. Më 1 prill 1913 duka e kaloi në Brindizi, ku më tej do të vazhdonte takimet për çështjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë me Fuqitë në Romë, Vjenë, Paris e sidomos në Londër. Atje shtroi çështjen e kandidat frëng dhe me gjasë edhe të Princit Albert Gjika.[53] Pas punimeve të konferencës në kryeqytetin britanik, u kuptua se gjysma e territoreve shqiptare do t'i mbeteshin fituesve të Luftës Ballkanike.[54]

Intrigat

Redakto

Diplomatët austo-hungarezë i pohuan Esad Pashës se kompetencat që Europa i njihte Qeverisë së Vlorës përfshinin qeverisjen në gjithë Shqipërinë, dhe i kërkuan atij të bashkëpunonte me qeverinë. Konsujt në Vlorë e këshilluan edhe Ismail Qemalin të bashëpunonte me Esat Pashën, prandaj ky i dha postin e Ministrit të Brendshëm, ndërsa vetë hoqi dorë nga posti i ministrit të jashtëm dhe ia dorëzoi Myfit Libohovës.[55]

Mirëpo Esat Toptani, si njeri ambicioz që ishte, nuk kënaqej me një post vartës prandaj u largua shumë shpejt nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Në shtator 1913 Toptani u vendos në Shqipërinë e Mesme dhe menjëherë filloi propagandën kundër Ismail Qemalit dhe qeverisë së tij. Ai shrytëzoi pakënaqësinë e opozitës me qeverisjen e Qemalit dhe e grumbulloi atë rreth vetes.[55] Ismail Qemali nuk qëndroi duarkryq. Në shtator shkarkoi mytesarfin e pabindur të Beratit dhe kamejkamin e Peqinit, i cili qe mbështetës i Esat Toptanit. Ministri i Bujqësisë, Abdi Toptani, u shkarkua dhe u zëvendësua nga Hasan Prishtina.[56] Më 12 tetor, Esat Pashë Toptani formoi Pleqësinë e Durrësit dhe pasi forcoi pushtetin në Shqipërinë e Mesme, ktheu vëmendjen e tij kundër Qeverisë së Vlorës, të cilën synonte ta rrëzonte ndërsa dëshironte ta largonte Qemalin pa dinjitet nga drejtimi i shtetit. Kësodore Esat Pasha duke përdorur propagandën e shfrenuar kundër Qemalit për të ulur prestigjinin e këtij, punoi paralelisht për të ngushtuar rrezen ku shtrihej autoriteti i Qeverisë së Vlorës.[56] Për këtë qëllim Toptani bashkëpunoi edhe me Serbinë dhe Greqinë.[56]

Tërheqja

Redakto

Kandidaturat e xhonturqve për fronin e Shqipërisë ishin Ahmet Izet Pasha për Princin Burhanedin Efendiu, i biri i Sulltan Abdyl Hamidit II që u abdikua po nga Xhonturqit më 1908, dhe nisën drejt Shkodrës disa propagandues të kësaj ideje, mes tyre edhe ushtarakun Beqir Grebenenë. Dy-tre muajt e fundit të 1913 pasi Grebeneja propagandoi në Shkodër, në Tiranë tek Esad pashë Toptani, së fundmi shkoi t'i ofronte edhe Ismail Qemalit të njëjtën ide të kandidaturës princërore, aleancës bullgaro-shqiptaro-turke i kërkoi mbështetje, duke autorizuar zbarkimin dhe kalimin në territoret e qeverisur nga ai.[57] Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e mësoi më 2 janar nga anëtari shqiptar, Myfid bej Libohova, pasi që ishin nisur mbi 420 ushtarë osmanë me prejardhje shqiptare.[57] Prej tyre zbarkuan vetëm 6 oficerë së bashku me Beqir Grebenenë, u arrestuan dhe të tjerët nuk u lanë që të zbarkonin. Pas gjyqit që iu bë dhe pohimeve që implikonin Ismail Qemalin, Komisioni i kërkoi që të jepte dorëheqjen, të cilën e dha më 22 janar 1914.[58]

Pasi ia dorëzoi pushtetin Komisionit, u nis në Nicë, ku kishte gruan dhe fëmijët. Nga mesi i majit u kthye në Durrës te Princ Vidi që t'i ofronte shërbimet e tij.[59] Më pas u largua për në Itali në mesin e gushtit 1914.[60] Në dhjetor të 1917 iu dha mandat nga Partia Kombëtare e Shqipërisë për të përfaqësuar koloninë shqiptare të Amerikës në Konferencën e Paqes që do të mbahej në Versajë të Parisit. Por familja e tij u dëbua nga Franca në majin e 1918, dhe së bashku me familje u vendos në Spanjë.[61]


Ceremonia e varrimit dhe rivarrimit

Redakto

Ndërroi jetë në Peruxhia, ku ndodhej i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë. I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. «...Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme... as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit...”[62].

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme Jone të kompozitorit italian Petrella. Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte Shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante Marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et'hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”.

Familja

Redakto

Më 1864 u martua me një vejushe nga Konica, e cila vdiq pasi lindi një vajzë në vitin e parë të jetës bashkëshortore.[8] Vejusha quhej Nasipe hanëmi, dhe ishte kushërirë jo e afërt e Vlorajve, 19 vjeçe kur u martua me Ismail Beun.[3]

Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk, u dashurua, e rrëmbeu dhe u martua me gruan e dytë Kleoniqinë e Anton Surmeliut (fisnik grek i Edernesë),[3] me të cilën pati katër vajza dhe gjashtë djem: Mevedeten (1873-1954), Alijen (xx-1955) dhe Ylvijen (xx-1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes; Mahmud beun (1871-1920), Tahir beun (1875-1932), Et'hem beun (1885-1937), Xhevdet beun (1888-1910), Qazim beun (1893-1953) dhe Qamil beun (1895-1950).[63][64] Kleoniqi vdiq në Spanjë më 1918, ku dhe i prehen eshtrat.[3]

Trashëgimia

Redakto

Megjithëse në të gjallë njihej nga bashkëkohësit si Ismail Qemali pasi mori titullin Qemal - i shkëlqyer, në historiografinë shqiptare përgjatë regjimit komunist nuk iu përmend kurrë mbiemri i familjes në mënyrë që të mos i bëhej hije kultit të diktatorit Enver Hoxha.[3] Holta Vrioni këtë mospërmendje të emrit e sheh si pjesë e politikës dhe modës së ideologjisë klasore marksiste, manifestim i luftës së klasave dhe kundër fesë e autoriteteve të saj, e sheh thjeshtëzimin e emrit në Ismail Qemali si mveshje e petkut anonim proletaro-fshatar.[65]

Vlerësimi i mëpasëm

Redakto

Studjuesja frënge Nathalie Clayer ka konstatuar se figura e Ismail Qemalit u shndërrua në "baba i kombit" pas shpalljes së pavarësisë. Sipas saj shqiptarizmi i tij ka marrë një ngjyrë krejt tjetër nga ai i shqiptaristëve të tjerë, dhe imazhi i tij si udhëheqës i lëvizjes shqiptare është mjaft i mitizuar.[10]

Referime

Redakto
  1. ^ Qemali, Ismail (2009) [1920]. Kujtime [Kujtimet e Ismail Qemal Bej]. Përkthyer nga Abdyrrahman Myftiu. Tiranë: Toena. fq. 23. ISBN 978-99943-1-558-1.
  2. ^ a b c d e Merlika-Kruja, Mustafa; Eqrem bej Vlora (2013). Kuvend letrash me miqtë. Tiranë: Omsca-1. fq. 74–89. ISBN 9789928132321.
  3. ^ a b c d e Alpan, Nexhip (2012). "Jeta e panjohur e Ismail Qemalit". panorama.com.al. Afrim Imaj.
  4. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 607. ISBN 99927-780-6-7.
  5. ^ Skendi, Stavro (1967). The Albanian national awakening (në anglisht). Princeton: Princeton University Press. fq. 182–183, 411. ISBN 9781400847761.
  6. ^ Qemali 2009, pp. 36-37
  7. ^ Qemali 2009, pp. 40-41.
  8. ^ a b Qemali 2009, pp. 44-48.
  9. ^ Qemali 2009, pp. 50-51.
  10. ^ a b Clayer, Nathalie (pranverë–vjeshtë 2013). "Të rimendosh nacionalizmat ballkanike: Rasti i figurës së Ismail bej Qemalit dhe i nacionalizmit shqiptar". Përpjekja. 30–31: 5–14.
  11. ^ Qemali 2009, pp. 65, 68.
  12. ^ Qemali 2009, pp. 73-74.
  13. ^ Qemali 2009, pp. 117-119.
  14. ^ Qemali 2009, pp. 153, 166.
  15. ^ Vlora, Syrja (2018). Bello, Hasan (red.). Përkthyer nga Jonuz Tafilaj. "Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909) I". Zani i Naltë. 23.
  16. ^ Qemali 2009, pp. 190, 192, 202-203.
  17. ^ Qemali 2009, pp. 218, 223, 225, 239.
  18. ^ Qemali 2009, pp. 241, 253.
  19. ^ Qemali 2009, pp. 254-255, 271.
  20. ^ Qemali 2009, pp. 310-311, 313, 315-316.
  21. ^ Qemali 2009, pp. 331-334.
  22. ^ Ikonomi, Ilir (2012). Pavarësia: udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit. Tiranë: Uet press. fq. 21. ISBN 9789995639761.
  23. ^ Qemali 2009, pp. 335-336.
  24. ^ Qemali 2009, pp. 343-347.
  25. ^ Qemali 2009, pp. 348-355.
  26. ^ Vllamasi 2012, pp. 34-35.
  27. ^ Bartl, Peter (2017) [1995]. Shqiptarët. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 127-128nb. ISBN 978-99943-982-87.
  28. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 46–47. ISBN 978-9928-140-54-8.
  29. ^ a b Ikonomi 2012, pp. 118, 120-121.
  30. ^ Qemali 2009, pp. 413-414.
  31. ^ a b Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Përkthyer nga Ali Asllani. Tiranë: Iceberg. fq. 37–39, 41–42. ISBN 978-9928-4140-4-5.
  32. ^ Prishtina, Hasan (2009). Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912. Prishtinë: rrokullia.com. fq. 11, 15. ISBN 9789951519021.
  33. ^ Ikonomi 2012, pp. 41-50.
  34. ^ Ikonomi 2012, pp. 64-66.
  35. ^ Ikonomi 2012, pp. 69-70.
  36. ^ Ikonomi 2012, pp. 75-77.
  37. ^ a b c Ikonomi 2012, pp. 70, 79, 85.
  38. ^ Vllamasi 2012, p. 65.
  39. ^ Ikonomi 2012, pp. 98-99, 104-105.
  40. ^ Ikonomi 2012, pp. 131-132.
  41. ^ Ikonomi 2012, pp. 153, 159.
  42. ^ Ikonomi 2012, pp. 161, 167-170.
  43. ^ Ikonomi 2013, p. 99.
  44. ^ Devaja, Kurtesh (2010). Fryma atdhetare e shqiptarëve të Rumanisë. Prishtinë: Faik Konica. ISBN 9789951063241.
  45. ^ Ikonomi 2012, pp. 180-183, 191-193.
  46. ^ a b Ikonomi 2012, pp. 194-199.
  47. ^ Hoxha, Çelo (2012). "Qemal bej Karaosmani: udhërrëfyesi i prijësit". standard.al. 55. - Nr. 320 - 19 nëntor. fq. 21.
  48. ^ Ikonomi 2012, p. 206.
  49. ^ Ikonomi 2012, pp. 216, 220-222.
  50. ^ "Essential Characteristics of the State (1912—1914)", Studia Albanica (në anglisht), vëll. 36, Tirana: L'Institut, 2004, fq. 18, OCLC 1996482, Essential Characteristics of the State (1912—1914) ... The setting up of the government was postponed until the fourth hearing of the Assembly of Vlora, in order to give time to other delegates from all regions of Albania to arrive.
  51. ^ Skendi 1967, pp. 458-463.
  52. ^ Ikonomi 2012, pp. 223-228.
  53. ^ Vlora 1921-25, p. 83.
  54. ^ Qemali 2009, pp. 421, 423.
  55. ^ a b Akademia e studimeve albanologjike (2017). Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX. Botime Albanologjike. fq. 270-271. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  56. ^ a b c Akademia e studimeve albanologjike (2017). Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX. Botime Albanologjike. fq. 272-277.
  57. ^ a b Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 232–234. ISBN 978-9928-190-91-8.
  58. ^ Vlora 2003, p. 356.
  59. ^ Qemali 2009, pp. 427, 431.
  60. ^ Vlora 2003, pp. 393, 399.
  61. ^ Qemali 2009, pp. 19-20, 471.
  62. ^ Darling Vlora, «Shqipëria dhe Shqiptarët», Tiranë 2008
  63. ^ Qemali 2009, pp. 62-63, 476.
  64. ^ Vlora, Darling (2008). "Dy djemtë e Ismail Qemalit, për të cilët nuk u fol kurrë". Ballkan. fq. 20–21. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 25 korrik 2018.
  65. ^ Vrioni, Holta (pranverë–vjeshtë 2013). "Origjinat e pretenduara të oxhaqeve shqiptare: përpjekje për kontekstualizim". Përpjekja. 30–31: 147–179.