Baja është një vendbanim në komunën e Malishevës, Kosovë. Fshati është i njohur si vendburim i ujit termomineral me veti balnoterapeutike. Është vendbanim kodrinor dhe fushor dhe gjendet rreth 4 kilometra në lindje të Malishevës.

Baja
Fshat
Pamje nga Baja e Malishevës
Pamje nga Baja e Malishevës
ShtetiKosova Kosova
KomunaMalishevë
RajoniRajoni i Prizrenit
Sipërfaqja
 • Gjithsej13,3 km2 (51 sq mi)
Popullsia
 • Gjithsej3.780 banorë
Targat04

Në këtë fshat gjendet shkolla fillore nëntëklasëshe dhe paralelen e ndarë në lagjen Begaj. Aty funksionon objekti i ofiçarisë, objekti i PTT-së, objekti sportiv, pishina, xhamia, dy objekte shoqërore pronë të NB Mirusha dhe ish KB Banja, objekte shtëpi-kulla me vlerë historike e kulturore, disa dyqane tregtare, biznese hoteliere. Brenda fshatit bëhet edhe eksploatimi i gurit dhe i rrasave dekorative. Ekzistojnë edhe dy minifabrika dhe një mulli elektrik.

Prejardhja e emrit

Redakto

Fshati Bajë e ka marrë këtë emër prej burimit të nxehtë shërues që gjendet në këtë fshat. Arteria kryesore që furnizon lumin Mirusha me ujë është burimi termal "Baja", që gjendet në mes të fshatit.

Historia

Redakto

Baja është njëri prej vendbanimeve më të vjetra të trevës së Llapushës. Në pjesën e epërme jugore të fshatit, afër lagjes Telaku e Samadraxhaj janë shumë varreza dhe tuma ilire. Tri prej atyre varrezave i takojnë periudhës së metaleve, rreth shekujve 11-10 para Krishtit, ndërsa gjashtë varreza i takojnë periudhës së krishterimit të hershëm në Dardani. Brenda këtyre varreve janë zbuluar fibula bronzi, maja të hekurta heshtash, rruaza të punuara nga qelibari, enë qeramike dhe disa unaza bronzi.

Në dokumente të shkruara, Baja përmendet me të njëjtin emër në kartën e perandorit Dushan të vitit 1348 bashkë me fshatin fqinj Guncat.[1] Në defterët osmanë të Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1530 është i dokumentuar si vendbanim me emrin Bana, si vendbanim mjaft i madh, kurse në defterin e hollësishëm është i regjistruar vendbanimi Kuçuk Banja, që i takon Prizrenit me vetëm 1 shtëpi. Me emrin Banja është e regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896 dhe 1900.

Një dokument arkivor dëshmon se ky fshat, në vitin 1913 kishte 120 shtëpi, nga të cilat 117 janë djegur dhe 50 banorë janë vrarë. Të plagosurit i kishin varrosur të gjallë. Në kryengritjet e vitit 1914 mes kryengritësve shqiptarë dhe forcave serbe e malazeze, nga pushteti serb janë vrarë e ekzekutuar 22 banorë të fshatit dhe 2 kalimtarë të rastit, si dhe është djegur më shumë se gjysma e fshatit.

Në kohën e pushtetit të Mbretërisë Jugosllave, me qëllim të ndërrimit të strukturës nacionale të popullsisë, në këtë fshat u vendosën 18 familje serbe e malazeze. Ato qenë vendosur në vendin që quhej Bozhlina, në kufi me Malishevën dhe kishin krijuar lagjen e tyre. Gjatë kësaj periudhe, 7 familje shqiptare janë shpërngulur në Turqi, kurse në vitin 1956 edhe 4 familje të tjera.

Familjet dhe mikrotoponimet

Redakto

Familjet më të njohura në Bajë janë: Begaj, Limaj, Shalaj, Samadraxhaj, Hazrolli, Elshani, Gashi, Thaçi, Krasniqi, Telaku, Shurdhaj Binishi edhe Suka . Ndër toponimet më karakteristike të fshatit janë: Madenet, Bozhlina, Ledina, Bluda e Madhe, Peçine, Shkoza, Vrella te Kajsija, Jazbina, Ulica, Dubrava, Kroni Katunit, Vrella e Samadrexhve, Kroni Telakve, Livadhi Perime, Gunafqi, Razori, Te Kisha, etj..

Burimi termomineral

Redakto

Në Bajë të Malishevës ndodhet një burim termomineral i ujërave nëntokësore, i tipit karstik-çarshmëri, në anën e majtë të lumit Mirusha, afër 4 km në juglindje të Malishevës. Buron në kontakt të gëlqerorëve të kretakut me sedimentet e pliocenit, në lartësi mbidetare 570 m. Prurja e ujit është 40 1it/sek, ndërsa temperatura 26.0°C. Për nga përbërja kimike, uji i takon tipit hidrokarbonat të Ca-Mg, me mineralizim 0.64 g/lit, me prani të dioksidit të karbonit, të azotit dhe me përbërje të rritur të radiumit. Uji i Banjës së Malishevës është shërues për sëmundjet e lëkurës. Për nevoja balneologjike, rekreative e sportive, afër burimit është ndërtuar një basen i tipit olimpik, me dimensione të përafërta 25x50 m, i cili frekuentohet nga shumë vizitorë, kryesisht të vendbanimeve përreth.[2]

Demografia

Redakto
Popullsia sipas viteve
Viti i regjistrimit Numri i popullsisë Numri i shtëpive
1879 - 50
1913 672 -
1918 330 80
1921 785 92
1948 942 131
1953 1036 144
1961 1252 174
1971 1706 188
1981 2356 236
1991 3099 -
1999 3780 396

Koha e Luftës së Kosovës

Redakto

Policia dhe ushtria serbe, në vitin 1998, ka djegur dhe granatuar 116 shtëpi shqiptare, ndërsa në vitin 1999 ka djegur 268 shtëpi. Sipas shënimeve të Kuvendit Komunal, ky vendbanim para lufte kishte 390 shtëpi, nga të cilat janë djegur 207. Është djegur shkolla e vjetër (e ndërtuar më 1928), shkolla e re me gjithë dokumentacionin shkollor pedagogjik e arsimor, biblioteka, disa biblioteka personale si dhe është djegur dhe granatuar xhamia e fshatit (e ndërtuar më 1797). Agresori serb kishte vrarë 21 veta: 8 më 1998 dhe 13 më 1999. Në muajin prill 1999, qenë dëbuar në Shqipëri më shumë se 80% e banorëve të fshatit, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur në fshat dhe në rrethinë.

Shih edhe këtë

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Osmani, Jusuf (2006). Vendbanimet e Kosovës - Malisheva. Vëll. 19. Prishtinë: Shkrola. fq. 77. ISBN 9951-8658-3-6.
  2. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 116–117. ISBN 9789951615846. OCLC 1083870022.

Lidhje të jashtme

Redakto