Carravrana
Carravranë është një vendbanim në komunën e Malishevës në Kosovë. Pas vitit 1999 fshati është i njohur edhe me emrin Gurabardh.
Gurbardhi
Carravana | |
---|---|
Fshat | |
![]() Carravrana në vitin 2019 |
1.POZITA GJEOGRAFIKE E FSHATIT GURBARDH
Fshati Gurbardh ndodhet në pjesën jugperëndimore të Llapushës dhe në kufi me qendrën e Rahovecit dhe të Anadrinisë si pjesë lidhëse me Rrafshin e Dukagjinit.
Gurbardhi kufizohet në lindje me fshatin Burim, në verilindje me fshatin Mirushë, në veri me fshatin Lubizhdë, në jug me Astrozubin, kurse në perëndim me Malet e Zatriqit dhe tw Rahovecit. Në pjesën veriperëndimore ka dalje me Malet e Shpatit dhe fshatin Turjak.
Në kuadër të kësaj shtrirje gjeografike, Gurbardhi ka një sipërfaqe prej 517 hektarë, 59 ari e 60 metra katrorë. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë fshati ka rreth 1995 banorë dhe një dendësi prej 329 banorë për kilometër katrorë.
2.PËRBËRJA GJEOLOGJIKE
Shikuar në aspektin morfologjik 60% e konfiguracionit dhe relievit të sipërfaqes së fshatit Gurbardh është në përbërje kodrinoro-malore, ndërsa pjesa tjetër është terren i fushave dhe arave. Pjesa qendrore e fshatit, duke filluar nga veriperëndimi dhe jugu ka një përbërje të vjetër gjeologjike e mbizotëruar nga shkëmbinjët e kretakut të sipërm senonian-turonian. Në anën veriore dhe lindore të sipërfaqes së fshatit kryesisht ka përbërje shkëmbore të krijuar në periudhën e kretakut senonian. Ndërsa në periferi të daljes drejt fshatit Mirushë , fshati ka shkëmbinjë të krijuar në kohen e neogjenit. E tërë zona e mbulimit ku është vendosur popullsia e fshatit Gurbardh qëndron në shkëmbinjë gëlqeror të krijuar në periudhën e shkumësit të sipërm si dhe te kretakut turonian. Gurbardhi ka një sipërfaqe të madhe malore që hyjne në kuadër të maleve të vjetra të Kosovës, të krijuara në periudhën akullnajore të masivit evropian.
Gurbardhi gjendet në një lartësi mbidetare ndërmjet 500-590 metra mbi nivelin e detit. Maja më e lartë është Mali i Pishës me një lartësi mbidetare deri në 1020 metra. Kurse pika më e ulët është Lëndina Ujore (Nevadi) me lartësi 490 metra mbi nivelin e detit.
3.PËRBËRJA PEDOLOGJIKE
Pjesa qendrore e fshatit Gurbardh, ajo veriore, perëndimore dhe jugore është tokë ranker. Kurse ana verilindore dhe juglindore është tokë e kuqe. Në mes të fshatit përgjatë Grykës ku rrjedh prrocka në drejtim të livadheve ekziston tokë e lymit me ngjyrë të bardhë si rrjedhojë e ndikimit fluvial të përrockës. Kjo tokë përmban një përqindje të konsideruar të humusit dhe është mjaft e dobishme për kultivimin e kulturave bujqësore.
Shumica e tokës së punueshme e fshatit është kategori e klasit të tretë dhe të katërt, gjë që paraqet kushte optimale për zhvillimin e bujqësisë.
KLIMA E FSHATIT GURBARDH
Fshati Gurbardh për shkak të relievit kodrinoro-malor dhe ndikimit të fortë të mases kontinentale që vjen nga veriu, paraqet një terren të përshtatshëm për mbizotërim të klimes së mesme kontinentale dhe asaj malore. Karakteristik e kësaj klime është dominimi i dimrave në kufij normal stinor e përcjellur shpeshëherë me reshje të mëdha të borës dhe me një regjim kohor të ftohtë. Kurse vera përcillet me një intensitet më të gjatë dhe më një vap të madhe. Kjo klimë e mesme kontinentale dhe pjesërisht malore ka bërë që në fshatin Gurbardh të krijohen të gjitha predispozitat e mundshme për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Po ashtu, për shkak të konfiguracionit të përshtatshëm gjeografik si dhe klimes malore, Gurbardhi paraqet një potencial të madh për zhvillimin e turizmit malor. E ndikuar nga masat ajrore të jugut, por edhe të veriut si dhe pjerrtësia ndaj ndikmimit të rrezeve të diellit bënë që të reshurat vjetore si dhe djellosja e fshatit të jenë në kondita normale. Nw anwn tjetwr për shkak të ndikimit të maleve përreth, Gurbardhi i nënshtrohet një rrymimi të ashpër ajror nga ana e jugut që përcillet me erëra të forta sidomos në stinen e pranverës dhe të vjeshtës.
UJRAT
Ndërtimi endogjen i Gurbardhit me përbërje të shkëmbinjëve gëlqeror në periudhën senoniane dhe turoniane ka bërë që hidrografia e fshatit të jetë e varfër ashtu sikur edhe vet rajoni i Llapushës. Gravitacioni i ujrave të Gurbardhit i takon pellgut të lumit Mirusha. Gurbardhi posedon dy burime të fuqishme ujore siç janë Vrella dhe Jama. Këto dy burime volumin më të madh ujor e kanë në sezonin e vjeshtës së vonë, të dimrit dhe të pranverës. Me matjet që janë bërë nga ekspertët në mars të vitit 1998, del se kapaciteti i këtyre dy burimeve është diku 30 metra kub për sekondë. Në stinën e verës për shkak të ndërtimit gëlqeror të terrenit këto dy burime humbin intensitetin e tyre madje edhe shterrin. Në Gurbardh ekziston prrocka ose lumi i vogël, i cili kalon përmes periferisë lindore,pastaj përgjatë rrjedhjes veriore bashkohet me lumin Mirusha. Në fillimi të burimit të këtij lumi ekziston shtrati i tij, që i ngjason një miniliqeni të bukur dhe më pas rruga e rrjedhjes së tij vazhdon të ngushtohet.
Meqë hidrografia e Gurbardhit është e lidhur ngushtë me sasinë e të reshurave atmosferike gjatë një viti, analizat e ekspertëve flasin për një bazen të mundshëm nëntokësor ujor ndikimi i të cilit vie në shprehje me damar të lidhur ngushtë me Drinin e Bardhë, por edhe nga Liqeni i Ohrit. Dëshmi për këtë ëshë edhe një numër i madh i krojeve që dalin në anën jugore dhe juglindore pas një regjimi një apo dy javor me shi në këto dy pellgje të lartpërmendura.
Gurbardhi sot posedon ujësjellsin me kapacitet prej 180 mijë litra dhe ku furnizohen afro 5 fshatra .
FLORA DHE FAUNA
Relievi i fshatit Gurbardh, lartësia e volitshme mbidetare si dhe kushtet e mira klimatike ka ndikuar që flora dhe fauna të jetë mjaft e zhvilluar dhe e pasur më një eksosistem të llojllojshëm të tyre. Malet e Gurbardhit posedojnë kryesisht drunjë gjethërënës dhe shpeshherë e mbizotëruar nga shkurret.
Prej drunjëve më së shumti rriten Qarri, Bungu, Frashëri, Shkoza, Ahu, Lajthia, Bliri, Shelqja, Plepi, Kregëzi, Shpërdhoja dhe në disa vende edhe Pisha. Kurse kullosat dhe livadhet janë të pasura me një diversitet të bimëve që shkon deri në 50 lloje.
Në territorin e Gurbardhit prej shtazëve të egra më së shumti rriten Ujku, Dhelpra, Lepuri, Ketri, Sqarthi, Derri i Egër, Iriqi. Prej zvarranikëve jetojnë Breshka, Hardhuca, Gjarpëri Honduras, Gjarpëri i Gurit, Gjarpëri i Shtëpisë.
Prej shpendëve rriten: Shqiponja, Korbi, Sorra, Pëllumbi, Trumcaku, Bilbili, Laraska, Skifteri, Sokoli, Huti, Kumria, Pikthi, Thëllënza, Gjeli i Egër si dhe shpendët shtegtarë siç janë Dallëndyshja, Shota e Egër dhe Lejleku.
ETIMOLOGJIA E EMRIT CARRAVRAN
Rreth prejardhjes së emrit Carravran ekzistojnë disa mendime, duke filluar nga gojëdhanat e ndryshme e deri te shpjegimet e pjesëshme shkencore e toponomike.
Varianti i parë edhe pse nuk është konfirmuar shkencërisht meton të theksoj lashtësin e emrit Carravran, qysh nga koha e ndikimit të romakëve në trevat e Dardanisë së vjetër. Meqë në të kaluerën ngulitja (sesiliteti) e popullsisë ishte e lidhur ngushtë me burimet e ujrave natyrorë, është shumë e mundshme se pikërisht në këtë kohë, fshati Gurbardh ishte banuar me njerëz autokton për shkak të dy burimeve ujore që posedon ai. Aludimi në këtë vie në shprehje me emërtimin Cerus latinisht (Qarr) që kane përdorur romaket e vjeter që tashmë kishin shtrirë ndikimin e tyre ne Dardani pas luftrave iliro-romake. Ndërsa kombinimi Cerrusvranus në gjuhen latine e autoktone ka krijuar togfjalëshin Qarrivrarë, për shkak se në Gurbardh është mjaft Iipërhapur lloji i drurit i quajtur Qarr.
Varianti i dytë që më tepër merret si gojëdhan ka të bëjë me një fshatar të quajtur Curr. Sipas kësaj legjende Curri ishte vrarë nga ushtria turke. Një e dhënë tjetër thuhet se mund të jetë vrarë edhe nga koha e regjimit të Princit Serb Stefan Nemanja ose Car Dushani në kohen e mesjetës. Vendi ku ishte vrarë Curri më vonë u quajt Curri i Vrarë. Ndërsa me kalimin e kohës merr emrin toponomik Currivrarë.
Varianti i tretë i cili ka një shpjegim të pjesëshem shkencor lidhet me etimologjin e emrit Karavan. Kah fundi i shekullit XVI, zhvillohej më të madhe tregtia në Kosovën e atëhershme nën sundimin e otomanëve. Këtë hov e përjetoi edhe Rahoveci,i cili ishte në fillet e një qyteti kaza për rajonin e Prizrenit. Ndërsa tregtarët që vinin nga Vilajeti i Nishit,pastaj nga Drenica shpeshëherë formonin karvane të gjata gjatë rrugës për në Rahovec. Meqë Gurbardhi e kishte burimin ujor tregtarët gjithmon ndaleshin karvanet e tyre për të pushuar dhe të nesërmen pa zbardhur agu niseshin pastaj për në pazarin e Rahovecit, të cilin e ndanin vetëm malet nga fshati Gurbardh. Pikërisht vendi i ndaljes së karavaneve të tyre për pushim edhe për kafshët tarnsportuese filloi të quhet Karavan. Ky emër vazhdoi të jetë një emërtim i gjatë toponomik deri me dëpërtimin e ndikimeve sllave në këto treva. Presioni i tyre që të zhduknin me çdo kusht identitetin e shqiptarëve qoftë edhe me ndryshimet toponomike të vendbanimeve ka bërë që emri Cerrusvranus/Curri i Vrarë dhe Karavan të pësoj ndryshime semiotike dhe morfologjike në një emër tjetër sllav të quajtur Crnavrana (Sorra e zezë).
Me okupimin e parë të Kosovës 1913 si dhe të dytë 1918 nga ana e shtetit serb ka ndikuar që emri Crnavran të mbetet i regjistruar në dokumnetet administrative, hartografike dhe statistikore për nevojat e regjimit serb. Ky legjitimim i këtij emëri ishte një imponim i kohës nga ana e Serbisë pushtuese, e cila për shkak të politikave obskurantiste si dhe mohimit të shkollimit të shqiptarëve në gjuhen amtare ia arriti që çdo gjë në Kosovë të emërtoj në gjuhën sllave. Këtij realiteti të hidhur nuk i shpëtoi as fshati ynë me imponimin e emërtimit Carravran që po vazhdon të mbetet edhe më tej emër zyrtar në dokumentet e banorëve të këtij fshati.
Në vitin 1990 me rastin e shënimit të 71 vjetorit të masakrës së Gurbardhit u bë edhe ndrrimi i emrit Carravran në Gurbardh. Profesori dhe dëshmori i kombit Hamdi Berisha në prani të mases së qytetarëve dhe disa intelektualëve të shkencës së historisë vendosi që tani e tutje emri Carravran të ndryshohej me emrin Gurbardh, meqë në periferi të tij fshati ishte i rrethuar me disa shkëmbinjë të mëdhej që kishin ngjyrën e bardhë. Ky emërtim vazhdon të jetë edhe sot, por jo edhe në dokumentet zyratre administrative dhe juridike.. Më ketë rast është e nevojshme që me ligjet e vetqeverisjes lokale dhe ndërrimit të emërtimeve në Republiken e Kosovës të zyrtarizohet një herë e përgjithmon emri Gurbardh, dhe ky emër të bashkëjetoj me brezat e ardhshëm të këtij fshati.
GURBARDHI – KUSHTET HISTORIKE DHE SHOQËRORE
Rreth zhvillimit historik të Gurbardhit nuk ka të dhëna të mjaftueshme materiale dhe arkeologjike. Lashtësia e banimit të fshatit Gurbardh mbetet edhe më tej në kuadër të historive gojore që kanë lënë pleqët e këtij fshati. Megjithatë një grup i arkeologëve të Institutit Arkeologjik të Kosovës, më datën 10 prill të vitit 2003, bëri një germim arkeologjik tek varret e vjetra të fshatit, për të vërtetuar lashtësinë e banimit të tij. Në bazë të gërmimeve, arkeologët kanë gjetur disa varre të vjetra me mbishkrime të gjuhës së vjetër osmane mbi gurë të këtyre varreve. Në bazë të këtyre gjetjeve janë identifikuar 8 varre, prej tyre 6 me mbishkrime.
Varri i parë shkruan: “KËTU PUSHON TRUPI I BAHTJARIT I BIRI I SHABANIT I CILI VDIQ NË VITIN 1200” (sipas Hixhrit), që i bie viti 1778.
Varri i dytë shkruan: “VARRI I RUSINIT I BIRI I RASINIT I VDEKUR ME 1251” (sipas Hixhrit) që do të thotë viti 1830 sipas kalendarit të sotëm.
Varri i tretë shkruan: “VESELI I BIRI I SYLEJMANIT I VDEKUR ME 1288” ( sipas Hixhrit) që i bie viti 1867.
Varri i katërt shkruan: “ BINI I BIRI I RESHITIT I VDEKUR ME 1291 h” d.m.th viti 1870.
Varri i pestë shkruan: “ SULEJMANI I BIRI I RRUSTEMIT I VDEKUR ME 1307 h” që i bie viti 1886.
Varri i gjashtë shkruan: “HAJRIU I BIRI I HAJDARIT I VDEKUR MË 1307 h” që i bie po ashtu viti 1886.
Në bazë të këtyre të dhënave mund të konstatojmë së fshati Gurbardh ka qenë i banuar para 236 viteve, përkatësisht gjysma e dytë e shekullit të XVIII. Ky fakt demanton të gjitha të dhënat se megjithatë Gurbardhi ka qenë i banuar me fillimin e shekullit të XIX në kohen e shpërndarjes së fiseve të Malësisë së Veriut në trevat e ndryshme shqiptare.
FISI, FAMILJA DHE BAJRAKU
Një ndër faktorët kryesor shoqërorë që ka ndikuar në zhvillimin historik të shqiptarëve në trojet e tyre kanë qenë edhe institucionet tradicionale sociale siç janë fisi, familja dhe bajraku. Ky lloj i kohezionit të jetës së fshatarëve në nivel material dhe shpirtëror ka qenë i zhvilluar edhe në fshatin Gurbardh.
Fisi si kategori sociologjike konsiderohet si formë e organizimit shoqëror të një bashkësie etnike e bazuar në radhë të parë në gjini, gjak dhe territor të përbashkët. Megjithatë kjo formë e organizimit fisnor të shqiptarëve ka filluar të shkapërderdhet qysh nga mesjeta, ku shumë fise janë të shpërndara anëkënd trojeve etnike shqiptare. Arsye për këtë janë faktorët e shumtë, duke filluar nga presioni i sunduesve të huaj, konvertimi me dhune i fesë, si dhe kushtet e rënda sociale e ekonomike. Këta faktorë ka ndikuar që në trojet shqiptare të ketë migrime të vazhdueshme për gjetjen e nje jete më të mirë shoqërore. Këtij presioni nuk i shpëtoi edhe organizimi i fisit, i cili filloi të shpërndahet në vende të ndryshme, duke humbur lidhjet e gjakut si dhe territorin e përbashkët.
Sa i përket fshatit Gurbardh në bazë të të dhënave gojore , por edhe të vërtetuara shkencërisht mendohet se banoret jane ardhacak që janë ngulitur diku kah mesjeta e vonë që janë shpërngulur nga viset e shqiptare të Malit të Zi. Banorët e fshatit kanë mbiemrin Berishë kurse fisi i tyre është fisi i Kuçëve në Mal të Zi. Sipas studimeve antropologjike dhe historike thuhet se Kuçët kanë qenë fisi më i përhapur, duke filluar nga Shqipëria e Veriut e deri tek Zhijeva dhe Labdenica në Mal të Zi. Sipas përshkrimeve thuhet se Kuçët kanë qene një fis bujar, burra trima por edhe njerëz që kurrë nuk iu kanë nënshtruar sunduesve të huaj. Meqë ishin të padëgjueshëm Kuçët gjithmonë ishin pre e provokimeve nga ana e pushtuesve sllav dhe otoman. Mark Milani një historian malazez meqë kishte jetuar me Kuçët për qëllime studimore ka bërë një përshkrim të saktë të jetës së tyre. Për Kuçët Mark Milani shkruan:
“Edhe ato toka e shtëpi që kanë pasë nëpër Nahi dhe Zetë, ua rrëmbyen Turqit. Ua mbyllen tregjet. Secili rreth kuçëve lufton me ta, si ai që falet ashtu eshe ai që bën kryq. Kështu as ata nuk kanë kursyer njeri rreth tyre:vranë, prenë, rrëmbyen, dogjën të gjithë por edhe këta secilin. Çdo skamje i ka ngushtuar” [1]Dimitrije Tucoviqi “Serbia e Shqipëria” fq.21).
Është krejt e qartë se Kuçët e uritur nuk i linin te qetë të tjerët që të gëzojnë të mirat e tyre. Kuçët vareshin, në të vërtetë prej plaqkitjeve andaj e urrenin paqën dhe gjendjen ku shterrej ai burim.
“Të shtrënguar prej vuajtjeve të urisë, kuçët kërkonin gjithnjë luftë;edhe sikur të mos trazonte njeri, ata do të kërkonin vetë grindje, që të plaqkitnin..Mirëpo, sado të këqij ishin ata për çdo njeri tjetër poashtu edhe secili nga të tjerët sillej keq me ta, dhe kështu i ngushtuan, sa që armiqtë u rrëmbyen edhe malet, duke mos u lënë asgjë fare për vete; prandaj veronin në Zhijevë dhe në Labednicë, ku i harron njeriu brengat, duke kundruar se si vuajnë bagëtia prej urisë e etjes[2]( Mark Milani, fq.109).
Por, presioni i vazhdueshëm i turqëve në njërën anë dhe serbomalazezëve në anën tjetër bëri që kah shekulli i XVI të shpartallohet fisi i Kuçëve. Ndarja filloi mbi baza fetare. Ata që u bënë ortodoks më vonë u asimiluan në malazez dhe qëndruan në trojet e tyre, kurse pjesa tjetër që u konvertuan në islam filluan të migronin drejt vendeve të ndryshme të Kosovës. Në këtë mënyrë Kuçët e Malësisë dhe ata të malazezëve konsiderohen si kushërinjë të parë dhe me lidhje gjaku.
Pra edhe fshati Gurbardh është themeluar prej popullsisë që ka ardhur nga Malsia e Veriut, pra nga fisi i Kuçëve me mbiemër Berishë. Këtë fakt e kanë dëshmuar edhe shumë pleq të fshatit, të cilët mendojnë se deri vonë me fisin Berishë nuk kanë pasur martesa ndërmjet veti, madje së bashku kanë ndarë gëzimin dhe idhnimin. Këtë fakt e vërteton edhe Xhemajl Bajrami autor i librit “Xhemajl Abria- Pleqnar i Kosovës”, i cili kur flet për shtrirjen e fisit Berishë e përmend edhe fshatin Carravran. Sipas burimeve gojore që kanë lënë pleqët e Gurbardhit marrëdhenjet farefisnore janë zhvilluar sidomos me banoret e fshatit Prekaz dhe Abri të Drenicës, madje deri vonë edhe nuk janë martuar në mes veti. Po ashtu Xhemajl Bajrami në librin e tij thekson se shpeshëhere Xhemajl Abria kur ka shkuar te Pasha ne Rahovec ka qëndruar në konak te kushërinjtë e tij në Carravran.[3]
Institucion tjetër me rëndësi në organizimin shoqërorë të fshatit Gurbardh ka luajtur dhe luan ende familja. Karakteristik e familjes në fshatin Gurbardh në aspektin historik ka qenë zhvillimi i saj mbi baza patriarkale me rregulla dhe tradita të së drejtës zakonore siç ka qenë Kanuni. Më këtë lloj të familjes janë ndarë qartë obligimet e anëtarëve të saj mbi baza moshore dhe gjinore. Familja e ka pasur të Zotin e Shtëpisë, i cili në bazë të traditës ka udhëhequr si dhe ka marrë vendimet kryesore për të. Familja në këtë kohë ka qenë e tipit të familjes së madhe ( Amë) ku kanë hyrë edhe kushërinjët e parë të gjakut. Kurse më vonë ky tip i familjes fillon të zvogëlohet e sidomos në kohën e sotme kur familja po shkon drejt zvogëlimit të saj ( familja e ndarë).
Një tip tjetër i organizimit shoqërorë të fshatit tonë ka qenë edhe Bajraku.
Bajraku ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën publike të fisit si ndërmjetësues i tyre dhe pushtetit. Bajraqet u formuan nga Turqit në shekullin e XVII si formë e komunikimit zyrtar me fiset shqiptare, të cilët kundërshtonin ashpër regjimin e tyre. Për këtë shkak ata formuan Bajraqet si formë e komunikimit dhe zbatimit të vendimeve të pushtetit për fiset shqiptare. Por, me kalimin e kohës Bajraku/Bajraktari bëhet një institucion i fuqishëm në mbrojtje të ineteresave të shqiptarëve ndaj çdo vendimi të pa drejtë që bënin turqit, por edhe pushtuesit tjerë të mëvonshëm në shekullin XX. Gurbardhi deri në gjysmen e shekullit të XX ka qene pjesë e Bajrakut të Astrozubit. Ndërsa Bekë Mustafa nga ky fshat në kohën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në kuadër të Italisë ka qenë edhe kryetar i Bjarakut të Astrozubit. Gurbardhi si gjithmon ka qenë një vend i hapur për të gjithë krerët bajraktarë madje edhe të Qazim Bajraktarit të Astrozubit, duke kontribuar gjithmon në mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve.
ShkollaRedakto
Në këtë fshat, tashmë mbi 70 vjet funksionon Shkolla fillore dhe e mesme e ulët "Habib Berisha", që numëron mbi 400 nxënës.
Shih dhe këtëRedakto
- ^ Tucovič, Dimitrije (1914). Srbija i Albanija – Jedan prilog kritici zavojevaçke politike srpske burzhoazije. Beograd. fq. 21.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Marko, Miljanov (1904). Племе Кучи у народној причи и пјесми. Beograd. fq. 109.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Bajrami, Xhemajl (2012). Xhemajl Abria - Pleqnar i Kosovës. fq. 24.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Lidhje të jashtmeRedakto
Astrazupi | Balinca | Banja | Bellanica | Berisha | Bubaveci | Bubli | Carrallugë | Carravrana | Damaneku | Dragobili | Gajraku | Garaçeva | Golluboci | Guriqi | Jançishti | Joviqi | Kërvasari | Kijeva | Lubizhda | Lladroci | Lladroviqi | Llapçeva | Llashkadrenoci | Llazica | Magjera | Millanoviqi | Maralia | Mirusha | Mleçani | Ngucati | Pagarusha | Panorca | Pllaçica | Qypeva | Ruda | Seniku | Shkarashniku | Temeçina | Tërpeza | Tërpeza e Poshtme | Turjaka | Vërmica
Ky artikull me tematikë në lidhje me gjeografinë e Kosovës është një faqe cung. Ju mund të ndihmoni Wikipedia-n duke e përmirësuar atë. |