Artikujt e listuar më poshtë janë artikuj të shfaqur në seksionin "Artikulli i javës" gjatë gjithë vitit 2022.

Arkiva sipas viteve: 2012201320142015201620172018201920202021202220232024


Java 1-rë

Artikulli do të shfaqet sapo të zgjidhet.

Java 2-të

Parashqevi Qiriazi

Parashqevi Qiriazi ishte Mësuese e Popullit, master i edukimit, pedagoge, intelektuale e shquar, veprimtare e arsimimit të femrës shqiptare, pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit, autorja e abetares së parë shqipe me alfabetin e Manastirit dhe e himnit të tij, e para femër shqiptare dhe autore e një projekti arsimor. Parashqevi Qiriazi u lind më 2 qershor të vitit 1880 në Manastir (sot Republika e Maqedonisë së Veriut). Ishte fëmija i dhjetë dhe më i vogli i çiftit Maria dhe Dhimitër Qiriazi, (Tashko, Konstandin, Gjerasim, Gjergj, Naum, Kristo, Pandeli, Fankë, Sevasti dhe Parashqevi). Ajo e kreu shkollën fillore dhe shkollën e mesme në qytetin e saj të lindjes në Manastir. Në vitin 1900, fillon studimet në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll (Anglisht: American College for Girls) institucion ky i cili vepronte në kuadër të të ashtuquajturit Robert College, në degën e letërsisë ku në vitin e fundit të studimeve ishte edhe presidente e organizatës studentore. Pas diplomimit në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll, në vitin 1904, filloi punën si mësuese dhe më vonë drejtuese në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë.

Parashqevi Qiriazi vdiq në Tiranë në vitin 1970, ndërsa 1987-ën dekorohet "Post Mortem" me titullin "Mësuese e Popullit".



Java 3-të

Ora në Prishtinë, Kosovë gjatë filmimit të videoklipit "Shine Ya Light" në shtator të vitit 2012.

Rita Sahatçiu Ora (26 nëntor 1990) është një këngëtare dhe aktore britanike me prejardhje shqiptare. Suksesi i saj u rrit në shkurt të vitit 2012, kur ajo u paraqit me këngën "Hot Right Now" në bashkëpunim me DJ Fresh-in, e cila u rendit e para në Mbretërinë e Bashkuar.

Ora ka lindur në Prishtinë, në Provincën Jugosllave e Kosovës (Kosova e sotme), nga prindër shqiptarë. Nëna e saj, Vera (e lindur Vera Bajraktari), është psikiatre dhe babai i saj, Besnik Sahatçiu, është ekonomist e pronar kafeneje. Ora ka një vëlla më të vogël, Don, dhe një motër më të madhe, Elena, e cila është gjithashtu pjesë e ekipit të saj të menaxhimit. Ajo ka lindur si Rita Sahatçiu, mbiemri rrjedh nga fjala turke saatçi që do të thotë "orëndreqës", por prindërit e saj më vonë e shtuan Ora (do të thotë "koha" në gjuhën shqipe) në mënyrë që të mund të shqiptohet lehtë. Familja e saj u largua nga Kosova për arsye politike, për shkak të persekutimit të shqiptarëve etnikë, që filloi me shpërbërjen e Jugosllavisë. Ata u zhvendosën në Londër, Angli në vitin 1991, kur ishte një vjeçe. Ajo u rrit pranë rrugës "Portobello" në Londrën Veriore dhe mori pjesë në St. Cuthbert në shkollën fillore "St Matthias" në Earls Court.


Java 4-të

Ismail Kadare

Ismail Kadare u lind më 28 janar 1936 në lagjen "Palorto" të Gjirokastrës në një familje bektashie qytetare, i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga Dobatët. Emrin ia dhanë në kujtim e nderim të gjyshit; çifti do të kishte edhe dy fëmijë të tjerë, Shahinin dhe Kadrien. Gjyshi i tij nga e ëma kishte një bibliotekë, dyert e së cilës qenë të hapura për të rinjtë.

Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri, ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjirokastër. Në moshën 12-vjeçare arrestohet nga regjimi i sapovendosur komunist nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur.

Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku jetonte te shtëpia e tezeve dhe pasi e ftoi, për gati dy vjet (1957-58), jetoi me Nasho Jorgaqin. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për mësuesi.


Java 5-të

Detaj nga shkollat antike (rr. 500 p.e.s.)

Fjala pedagogji rrjedh nga fjala e vjetër e gjuhës greke, παιδαγωγία (paidagōgia) dhe παιδαγωγός (paidagōgos), e cila është një sintezë e fjalëve παῖς (país, dhe παιδός, paidos) "fëmijë" dhe ἄγω (ágō), "udhëheq" apo "drejtoj". Në fjalorin elektronik të gjuhës shqipe fjala "pedagogji" përkufizohet si "shkenca që merret me edukimin dhe arsimimin e fëmijëve e të të rinjve, me metodat që duhen përdorur për këtë qëllim."

Nga fjala pedagogji rrjedh emri pedagog/e, njeriu që merret me punë pedagogjike apo me edukimin e arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve, dhe mbiemri pedagogjik/e, që lidhet me pedagogjinë apo me pedagogun.

Në fjalorin elektronik të gjuhës shqipe fjala "pedagog" përkufizohet si "ai që mëson dhe edukon fëmijët e të rinjtë, duke zbatuar parimet dhe metodat e pedagogjisë; specialist për pedagogji; mësues në një shkollë të lartë; titulli i këtij mësuesi. Pedagog i zoti (i aftë). Pedagog i jashtëm pedagog që jep mësim në një shkollë të lartë pa qenë punonjës i përhershëm i kësaj shkolle. Pedagogu i gjuhës shqipe (i filozofisë, i matematikës). Puna e pedagogut."

Giesecke (1981), hulumtimin në arsim dhe edukim ashtu si edhe pedagogjinë, i quan "shkencë aporetike", d.m.th. një ndërdisiplinë ose interdisiplinë (Shih edhe Ndërdisiplinariteti). Ndërkaq në periudha të ndryshme termi "pedagog" ka pasur edhe konotacione negative të lidhura me pedantërin e tepruar e të cilat e kanë zanafillën nga koha e Samuel Pepys (1650).


Java 6-të

Njësitë administrative në Itali.

Italia shtrihet në pjesën jugore të Evropës, në Gadishullin Apenin. Pjesë e këtij vendi janë dhe ishujt në Detin Mesdhe, si Sicilia dhe Sardenja. Në Alpet e larta në veri të saj kufizohet nga Franca, Zvicra, Austria dhe në brigjet e Adriatikut kufizohet nga Sllovenia. Në brendësi të këtij shteti gjenden dy shtete të vogla: Vatikani dhe San Marino. Roma, kryeqyteti i Perandorisë Romake në lashtësi, është edhe kryeqytet i shtetit të ngritur në bërthamën e perandorisë.

Etimologjia e emrit 'Italia' janë të shumta. Sipas një propozimi më të njohur, emri u huazua nga greqishtja prej gjuhës Oscane Víteliú, që do të thotë "toka e gjedhëve të reja".

Sipërfaqja e përgjithshme e Italisë është 301,230 km², shtrihet në koordinatat gjeografike 42° 50' V, 12° 50' L dhe 294,020 km² të kësaj sipërfaqeje janë tokë ndërsa 7.210 km² ujë. Vija bregdetare e Italisë është 7,600 km e gjatë, ndërsa kufiri tokësor 1.932,2 km i gjatë.


Java 7-të

Monumenti Newborn u zbulua në festimet e vitit 2008 pas Deklarimit të Pavarësisë së Kosovës po atë ditë, më 17 shkurt 2008, në kryeqendrën e Kosovës Prishtinë.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008, ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia, duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.



Java 8-të

Asdreni

Aleksandër Stavre Drenova i njohur me emrin Asdreni ka qenë një poet, publicist dhe veprimtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit që është edhe autori i Himnit të Flamurit, himni kombëtar i Shqipërisë.

Lindi më 11 prill 1872 në Drenovë, 5 km larg Korçës. Në fshatin e lindjes ndoqi shkollën fillore në gjuhën greke dhe sapo kishte nisur gjimnazin në Korçë, kur i ati i vé Stavri Thimiu vdiq duke e lënë kështu trembëdhjetëvjeçarin jetim.

Asdreni nisi të shkruajë poezi dhe të botojë artikuj që në fillim të shekullit XX. Pjesë e poetëve që zbuloi apo botoi Konica tek Albania. Në 1904-ën botoi në Bukuresht përmbledhjen e tij të parë me 99 vjersha "Rreze diélli" që ndahet në 5 cikle: Atdheu, Fushore, Mendimtare, Dashurie, Satirike, të ndara këto sipas tematikave të ndryshme. Vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke.


Java 9-të

Flamuri i Ukrainës

Ukraina (Ukrainisht: Україна, Ukrayina, /ukraˈjina/) është një shtet që ndodhet në lindje të Evropës. Ukraina kufizohet në lindje e verilindje nga Rusia, në veriperëndim nga Bjellorusia, në perëndim nga Polonia, Sllovakia dhe Hungaria, në jugperëndim nga Rumania e Moldavia dhe në jug laget nga Deti i Zi dhe Deti Azov. Ajo ka një sipërfaqe prej 603.628km2 (233.062sq mi), duke e bërë atë vendin më të madh tërësisht brenda Evropës.

Ukraina është një shtet jofederal i përbërë nga 24 oblaste (krahina), një republikë autonome (Krimea) dhe dy qytete me status të veçantë: Kievi, kryeqyteti i saj dhe qyteti më i madh dhe Sevastopoli, në të cilin ndodhet flota ruse e Detit të Zi, sipas një marrëveshjeje qiraje. Ukraina është një republikë me një sistem gjysmëpresidencial me degë legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të ndara. Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Ukraina vazhdon të ketë ushtrinë dytë më të madhe në Europë, pas asaj të Rusisë. Vendi ka rreth 44.600.000 banorë, 77.8 për qind e të cilëve janë ukrainas etnikë, me minoritete të konsiderueshme të rusëve (17%), bjellorusëve dhe rumunëve. Ukrainishtja është gjuha zyrtare e Ukrainës. Alfabeti i saj është cirilik.


Java 10-të

Mësonjëtorja e Korçës

Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë kombëtare e gjuhës shqipe në viset shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane. Mësonjëtorja u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në fund të periudhës së perandorisë. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muze dhe ndodhet në veri të bulevardit "Shën Gjergji".

Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare brenda Perandorisë Osmane. Mësonjëtorja përbënte një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik, kishte rëndësi e një vlerë të veçantë duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit.

Data e hapjes së saj festohet nga shqiptarët si "Dita e Mësuesit".

Në 1885-ën, Naim Frashëri si burokrat në Ministrinë e Arsimit në Stamboll, me të vëllain, Sami Frashërin dhe shqiptarë të tjerë me ndikim të "Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip" ia dolën të siguronin lejen nga Sulltan Abdulhamidi II për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë.


Java 11-të

Harri Poter

Harry Potter është një seri romanesh fantazi të shkruara nga shkrimtarja britanike, J. K. Rowling. Vëllimet, të emëruara pas personazhit kryesor, rrëfejnë aventurat e një magjistari të ri, Harri Poter, dhe miqve të tij, Ron Uezli dhe Hermionë Grenxhër, të cilët janë studentë në Shkollën e Magjisë dhe Shtrigërisë Hoguorts. Historia flet për përballjen e Harrit me magjistarin e errët, Lordin Fluronvdekje, i cili ka për qëllim të bëhet i pavdekshëm, të pushtojë botën e magjisë, të nënshtrojë njerëzit jomagjistarë (Babanacët), dhe të vrasë të gjithë ata që mundohen ta pengojnë.

Që prej nxjerrjes së romanit të parë, Harry Potter dhe Guri Filozofal, më 30 qershor 1997, librat kanë fituar një popullaritet të pamasë dhe kritika të shumta pozitive, duke u kthyer në një sukses tregtar kudo në botë. Vepra është përkthyer në 80 gjuhë të ndryshme dhe deri në shkurt të 2008-ës janë shitur rreth 500 milion kopje, duke e kthyer serinë e Harry Potter-it në një nga seritë e librave më të shitura në historinë botërore. Katër librat e fundit kanë vendosur rekordin për librat e shitur më shpejt në histori, me gjithsej 11 milion kopje të shitura në Shtetet e Bashkuara vetëm në 24 orët e para që nga dalja ne treg.


Java 12-të

Sarkofag me muzat, rreth vitit 250, në Vatikan

Historia e arteve përfshin çdo aktivitet ose produkt i krijuar nga njeriu për qëllime komunikuese që shprehin ide, emocione ose vizion të botës. Arti përdor metoda të ndryshme, të tilla si plastike, gjuhësore, sonore apo të përziera. Përgjatë kohës arti është klasifikuar në mënyra të ndryshme, që nga ai mesjetar në arte liberale dhe arte mekanike, në klasifikimin në arte të bukura dhe arte të aplikuara e deri te përcaktimet bashkëkohore, ku arti shihet si një shfaqje e kreativitetit njerëzor. Një ndarje e shekullit XX të arteve është ajo e “nëntë arteve”. Ajo u hartua fillimisht në vitin 1923 nga poeti italian Ricciotto Canudo dhe u zgjerua me dy zërat e fundit nga kritiku francez Claude Beylie në 1964-ën. Kështu, lista e arteve kryesore në shekullin XX përfshin: arkitekturën, kërcimin, skulpturën, muzikën, pikturën, poezinë kinemaja, radiotelevizioni dhe tregimet figurative. Tanimë, përveç formave të vjetra të shprehjes artistike po konsiderohen edhe mënyra të reja shprehjeje artistike si moda, gastronomia, computer art-i, artet grafike, performanca, reklama, animimi dhe videolojërat.

Sot, arti gëzon një rrjet të gjerë studimi, përhapja dhe konservimi i gjithë trashëgimisë artistike të njeriut përgjatë historisë. Ngritja e medias ka qenë themelore në përmirësimin e studimit dhe përhapjes së artit.


Java 13-të

Shtetet firmëtare të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (emri zyrtar: Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore) është një dokument ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në Evropë. Hartuar në vitin 1950 nga Këshilli i Evropës, atëherë i sapoformuar, konventa hyri në fuqi më 3 shtator 1953.

Konventa krijoi Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj). Çdo individ që beson se të drejtat e tij sipas konventës janë shkelur nga një shtet anëtar i konventës mund të ngrejë një padi pranë kësaj gjykate. Vendimet ku gjenden shkelje janë të detyrueshme për t'u zbatuar nga shteti në fjalë, i cili duhet ta ekzekutojë vendimin. Vendimet e gjykatës janë të detyrueshme pavarësisht shumës së kompensimit. Për shembull, në vitin 2014 Rusia u detyrua të pagonte kompensime në masën 2 miliardë dollarë.


Java 14-të

Portret i Anton Çehovit

Anton Pavlloviç Çehovi (/ˈtʃɛkɔːf, -ɒf/;[1] rusisht: Анто́н Па́влович Че́хов, shqiptuar [ɐnˈton ˈpavləvʲɪtɕ ˈtɕɛxəf]; 29 janar 1860 – 15 korrik 1904) ishte fizikan, dramaturg dhe autor rus. Ai është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të tregimeve të shkurtra. Karriera e tij si dramaturg përfshin katër vepra klasike dhe tregime të shkurtra, të cilat janë vlerësuar maksimalisht nga shkrimtarët dhe kritikët. Me profesion, Çehovi ishte mjek: "Mjekësia është gruaja ime e ligjshme", ka thënë ai, "dhe letërsia është e dashura ime". Bashkë me Henrik Ibsenin dhe August Strindbergun, Çehovi referohet si një nga 3 figurat themelore në lindjen e hershme të modernizmit në teatër.

Anton Çehovi lindi në ditën e Shën Antonit të Madh, 29 janar 1860, dhe ishte i treti nga gjashtë fëmijët e mbijetuar, në Taganrog, port i Detit Azov në Rusinë lindore. Babai i tij, Pavell Jegoroviç Çehov, i biri i një ish-skllavi, ishte nga një fshat Vilhovatka afër Kobeliaky (Rajoni Poltava në Ukrainëne sotme) dhe zotëronte një ushqimore.


Java 15-të

Çarli Çaplin

Çarli Spencer Çaplin (16 prill 1889 Londër, Britani – 25 dhjetor 1977 Vevey, Zvicër) ishte regjisor, aktor dhe komedian anglez. Pati ndikim të madh në kinemanë botërore me stilin e tij komik dhe tragjik, në filma si: Cirku, Dritat e qytetit, Diktatori i madh, Çapkëni e të tjerë, të realizuar gjatë periudhës së filmave pa zë. Në vitet e filmave pa zë, ai shkëlqen në kinema, pasi arrin të shfaqë me rolin e tij si Vagabondi, një mjeshtëri që në atë kohë mund të krahasohet me Baster Kitonin dhe Harold Llojdin. Çarli përmendet për punën e tij dhe mbahet si inspirim në botën e kinematografisë.

Që në moshë të vogël, ai kishte parë nënën e tij duke performuar në skenë. Ishte ajo që e shtyu Çarlin të mos kishte frikë përpara publikut. Pasi nëna e tij u sëmur, Çarli iu kushtua teatrit. Kjo pjesë e jetës së tij paraqitet në mënyrë elegante në filmin Chaplin. Gjatë viteve 1906-1907, ai punon në Cirkun e Kejsit me kompaninë e Fred Karnos i cili e paguante 3 stërlina në javë.


Java 16-të

Grupi "Gipsy Kings"

Gipsy Kings janë një grup muzikantësh flamenco, salsa dhe pop nga Arles dhe Montpellier në jug të Francës, të cilët performojnë kryesisht në spanjisht, por edhe duke përzier dialekte franceze jugore. Megjithëse anëtarët e grupit kanë lindur në Francë, prindërit e tyre janë kryesisht gitanos, romë spanjollë që u larguan nga Spanja gjatë Luftës Civile Spanjolle të viteve 1930. Ata janë të njohur për sjelljen e rumba flamenca, një muzikë e orientuar drejt pop-it që rrjedh larg nga muzika tradicionale e flamenkos, për audiencën në mbarë botën. Grupi fillimisht e quajti veten Los Reyes.

Los Reyes filloi si një grup ciganësh. Ata udhëtuan nëpër Francë, duke luajtur në dasma, festivale dhe në rrugë. Për shkak se ata jetonin shumë si ciganët, grupi mori emrin Gipsy Kings.


Java 17-të

Grup popullor polifonik shqiptar me qeleshe dhe fustanella në Skrapar

Polifonia është një lloj teksture muzikore që përbëhet nga dy ose më shumë linja të njëkohshme të melodisë së pavarur, në krahasim me një teksturë muzikore me vetëm një zë, monofoni ose një teksturë me një zë melodik mbizotërues të shoqëruar nga akorde, homofonia.

Brenda kontekstit të traditës muzikore perëndimore, termi polifoni zakonisht përdoret për t'iu referuar muzikës së Mesjetës së Vonë dhe të Rilindjes. Format barok si fuga, e cila mund të quhet polifonike, zakonisht përshkruhen në vend të kësaj si kontrapuntale. Gjithashtu, në krahasim me terminologjinë e specieve kundërpikë, polifonia në përgjithësi ishte ose "pitch-against-pitch" / "point-against-point" ose "stained-pitch" në një pjesë me melisma me gjatësi të ndryshme në një tjetër.

Termi polifoni gjithashtu përdoret ndonjëherë më gjerësisht, për të përshkruar çdo teksturë muzikore që nuk është monofonike. Një këndvështrim i tillë e konsideron homofoninë si një nënlloj të polifonisë.


Java 18-të

Mbreti Glauku dhe Mbretëresha Beroja marrin nën përkujdesje Pirron e vogël

Mbretëria e Ilirisë është emërtimi për organizimin politik, shoqëror dhe ushtarak që ka ekzistuar në Gadishullin Ballkanik në kohërat antike, në territorin që shtrihej në veri të Maqedonisë antike dhe Epirit dhe brigjet lindore të Adriatikut. Nga shekulli VIII p.e.s. e deri në shekullin V p.e.s. në zonën e bregdetit lindor të Detit Adriatik dhe brigjeve të Detit Jon, vërehet një ndikim i konsiderueshëm i qendrave kulturore nga Greqia dhe Italia e Jugut si rezultat i së cilës fillon të ndryshojë edhe mënyra e jetës, përmbajtja e saj dhe nevojat e përditshme. Si pjesë e nevojave, kishte ndryshime në organizimin shoqëror dhe forcimin e strukturave fisnore.

Të gjitha burimet historike (Thukididi, Teopompi, Diodori), pa përjashtim, flasin për mbretërinë në veriperëndim të Maqedonisë antike dhe në brigjet e Detit Adriatik. Historianët e sotëm janë të prirur ta quajnë këtë mbretëri sipas zonave të fiseve përkatëse: Mbretëria e taulantëve, Mbretëria e dardanëve, Mbretëria e ardianëve, Mbretëria e enkelejve, etj.

Në Ilirinë e Jugut organizimet e para shtetërore u formuan pak më herët se në viset e tjera të këtij rajoni.


Java 19-të

Stadiumi i Prishtinës

Sporti në Prishtinë paraqet epiqendrën e sportit në Kosovë, ku aktiviteti organizohet në nivele amatore dhe profesionale, organizata sportive dhe klube, të rregulluara nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Prishtina dallohet për sukseset e saj në sporte si: futboll, boks, basketboll dhe futsal. Në të kaluarën ata kanë garuar për pesë sezone në Ligën e Parë Jugosllave midis viteve 1983-1988, në të cilën përfundimi i tyre më i mirë erdhi në sezonin e tyre të parë ndonjëherë në 1983-84-ën, duke përfunduar në vendin e 8-të. Në të njëjtin sezon ata arritën në finalet e Kupës Mitropa të 1983-84-ës, ku FC Prishtina përfundoi në vendin e dytë ndaj Eisenstadt nga Austria, si dhe arritja në gjysmëfinale në Kupën e Jugosllavisë në vitet 1987-88.

Në vitet e fundit, basketbolli është sporti më i suksesshëm në Prishtinë, pasi KB Prishtina ka fituar dy kampionate BIBL në sezonet 2014-15 dhe 2015-16 duke qenë e vetmja skuadër e basketbollit në Kosovë që e ka bërë këtë.


Java 20-të

Biosinteza e proteinave duke filluar me transkriptimin dhe modifikimet pas transkriptimit në bërthamë. Më pas mARN-ja e pjekur eksportohet në citoplazmë ku përkthehet. Zinxhiri polipeptid më pas paloset dhe modifikohet pas përkthimit

Biosinteza e proteinave (ose sinteza e proteinave) është një proces thelbësor biologjik, që ndodh brenda qelizave, duke balancuar humbjen e proteinave qelizore përmes prodhimit të proteinave të reja. Proteinat kryejnë një sërë funksionesh kritike si enzima, proteina strukturore ose hormone. Sinteza e proteinave është një proces shumë i ngjashëm si për prokariotët ashtu edhe për eukariotët, por ka disa dallime.

Sinteza e proteinave mund të ndahet gjerësisht në dy faza: transkriptim dhe përkthim. Gjatë transkriptimit, një pjesë e ADN-së që kodon një proteinë, e njohur si gjen, shndërrohet në një molekulë shabllon të quajtur ARN-ja e dërguar (mRNA). Ky shndërrim kryhet nga enzimat, të njohura si ARN polimeraza, në bërthamën e qelizës. Në eukariotët, kjo mARN fillimisht prodhohet në një formë të parakohshme (pre-mRNA) e cila i nënshtrohet modifikimeve pas transkriptimit për të prodhuar mRNA të pjekur. mARN-ja e pjekur eksportohet nga bërthama e qelizës nëpërmjet poreve bërthamore në citoplazmën e qelizës që të ndodhë përkthimi. Gjatë përkthimit, mARN-ja lexohet nga ribozomet të cilët përdorin sekuencën nukleotide të mRNA-së për të përcaktuar sekuencën e aminoacideve. Ribozomet katalizojnë formimin e lidhjeve peptide kovalente midis aminoacideve të koduara për të formuar një zinxhir polipeptid.


Java 21-të

Artikulli do të shfaqet sapo të zgjidhet.

Java 22-të

Tabela e kufirit të shpejtësisë së Shqipërisë

Transporti në Shqipëri përbëhet nga transporti tokësor, ujor dhe ajror, të cilat janë kryesisht nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës të Shqipërisë. Zhvillimi dhe përmirësimi i transportit në vend mbetet ndër prioritetet më të rëndësishme të qeverisë së Shqipërisë.

Ajo ka përjetuar ndryshime të rëndësishme, rritje dhe zgjerim të madh vitet e fundit. Përmirësimet në infrastrukturën rrugore, transportin urban dhe udhëtimin ajror kanë çuar të gjitha në një përmirësim të gjerë të transportit. Këto përmirësime kanë luajtur rol kryesor në mbështetjen e ekonomisë së Shqipërisë.

Që nga antikiteti, zona e Shqipërisë moderne ka shërbyer si një udhëkryq i rrugëve të rëndësishme të karvanëve, siç ishte Via Egnatia romake që lidhte Adriatikun me Bizantin (më vonë Kostandinopojën). Regjimi fashist italian i Musolinit realizoi një projekt ndërtimesh rrugore në Shqipëri në vitet 1930, megjithatë lëvizja e automjeteve ishte e kufizuar në atë kohë.


Java 23-të

Prizreni

Shkolla e parëgjuhën shqipeKosovë u hap në Prizren në vitin 1889. Kjo paraqet fillimin e një ere të re të arsimit publik në qytetin e njohur kulturor dhe historik, Prizren.

Në fillim të viteve 1990, shkollat në gjuhën shqipe u mbyllën dhe mësimi mbahej në shtëpi private. Në fund të dekadës në fjalë ndodhi edhe Lufta në Kosovë. Pas mbarimit të luftës për liri, mësimi dhe arsimi filloi përsëri.

Tani, pas shumë vitesh zhvillimi, sistemi arsimor i Prizrenit ndjek parimet themelore të ngjashme me shtetet e tjera evropiane. Nxënësit dhe studentët janë me një larmi prejardhjesh etnike: shqiptare, bosnjane, turke, romë dhe ashkali. Mësimet zhvillohen në tri gjuhë: shqip, bosnjanisht dhe turqisht në institucione publike dhe private.


Java 24-të

Prishtina

Transporti i Prishtinës formon qendrën bazë të rrugëve automobilistike, hekurudhore dhe rrjetit ajror në Kosovë. Autobusët, trenat dhe aeroplanët shërbejnë për të pasur një nivel të lartë të transportit. Statistikat e trafikut policor kanë treguar që prej 240.000 makinave të regjistruara në Republikën e Kosovës, rreth 100.000 makina apo 41% e tyre i përkasin Prishtinës.

Rrugët në Prishtinë ishin në gjendje shumë të keqe pas luftës së Kosovës. Kjo situatë shtyu qeverinë të investojë dhe ta përmirësojë këtë seksion. Tani infrastruktura në Prishtinë është në gjendje të mirë. Të gjitha rrugët janë të asfaltuara. Rrugët që lidhin Prishtinën me qytetet e tjera paraqesin rrugët kryesore të rrjetit rrugor të Kosovës.



Java 25-të

Mitologjia ilire i referohet miteve, legjendave, besimeve dhe praktikave fetare të fiseve ilire, një grup fisesh që flisnin gjuhën ilire dhe banonin në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, prej shekullit X p.e.s. deri në shekullin VII e.s. Burimet e shkruara të disponueshme lidhur me këto fise janë shumë të rralla. Ato përbëhen kryesisht nga emra njerëzish, emra vendesh dhe disa fjalë nga burimet klasike. Krahas kësaj mitologjia ilire ngërthen në vete edhe një varg paralelizmash me mitologjinë greke dhe mitologjinë romake.

Mitologjia ilire është një fushë e cila ende nuk është studiuar dhe hulumtuar mjaftueshëm. Gjurmët më të shpeshta të miteve dhe praktikave fetare të epokës pararomake janë ato që lidhen me simbolikën mitologjike dhe fetare. Simbolet përshkruhen në çdo larmi zbukurimesh dhe zbulojnë se objektet kryesore të kultit parahistorik të ilirëve ishin, në viset veriore Dielli, në viset qendrore (nga Dalmacia deri në Dardani) Hëna dhe në viset jugore gjarpri, që adhuroheshin në një sistem besimi të përhapur dhe kompleks.


Java 26-të

Çështja çame është një çështje ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe Greqisë. Boshti kyresor i çështjes është drejtësia për vrasjet, dëbimin dhe shpronësimin e shqiptarëve çamë nga autoritetet greke gjatë viteve 1912-1946. Bilanci i muajve qershor-tetor 1944 në fund të Luftës së Dytë Botërore në Çamëri është: rreth 2.900 të vrarë të pafajshëm, rreth 40.000 njerëz të dëbuar me dhunë, 68 fshatra e qytete të grabitura e të djegura, dhe objekte të kultit (islam) të rrënuara. Më 30 qershor 1994, kuvendi shqiptar miraton ligjin 7839 për përkujtimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë më datën 27 qershor. Dita e zgjedhur përkon me masakrën e 27 qershorit 1944 në Çamëri. Në vitin 2004, kuvendi shqiptar miratoi një rezolutë që e detyron qeverinë të ngrejë çështjen çame në marrëdhëniet me Greqinë.


Java 27-të

Qendra historike e Prizrenit

Turizmi në Kosovë është një sektor në rritje me shumë turistë që vizitojnë vendin çdo vit. Me turizëm nënkuptojmë lëvizjen e njerëzve me qëllim rekreacioni, argëtimi, shërimi dhe zgjerimi të njohurive kulturore. Edhe pse Kosova është hapësirë e vogël gjeografike, me motivet natyrore dhe njerëzore që ka, ofron mundësi të mira për zhvillimin e disa llojeve të turizmit vendës, rajonal, ndërkombëtar, stacionar dhe tranzit. Kosova ka vende turistike që mund të shfrytëzohen nga popullsia e vet për ekskursione, sport, rekreacion, pushim, kulturë, arsim e edukim.

Turizmi në Kosovë karakterizohet nga trashëgimia arkeologjike që prej kohës ilire, dardane, romake, bizantine, serbe dhe osmane, kuzhina tradicionale shqiptare e serbe, arkitektura, traditat dhe peizazhet natyrale.


Java 28-të

Biblioteka "Qemal Baholli"

Biblioteka “Qemal Baholli” është bibliotekë publike në qytetin e Elbasanit. Është përuruar më 21 korrik 1935. Është ndërtesa e parë institucionale në shtetin shqiptar, sot institucion bibliotekë, qendër kulturore kryesore e komunitetit dhe një qendër e rëndësishme studimore e kërkimit shkencor. Detyra e saj është të ruajë dhe të koleksionojë trashëgiminë kulturore të shkruajtur të popullit shqiptar në përgjithësi dhe komunitetit elbasanas në veçanti.

Biblioteka ka një karakter të dyfishtë, shkencor dhe publik. Është qendër e depozitimit dhe ruajtjes së botimeve shqip, qendër bibliografike kryesore e komunitetit, qendër studimi në fushën e bibliotekës dhe shkencës së informacionit për bibliotekat e shkollave dhe bibliotekat e qarkut, qendër për edukimin bibliotekar dhe trajnimin profesional të komunitetit, qendër e katalogizmit për publikimin e librave të komunitetit në Elbasan, qendër e shërbimit të fondit Albano-Balkanoligjik, hyrja e lirë në informacionin e shpejtë të internetit për të gjithë përdoruesit pa dallim, qendra e digjitimit të vlerave të rralla.


Java 29-të

Logoja e të drejtave të njeriut

Të drejtat e njeriut kanë të bëjnë me të drejtën e cila mbrohet me ligj dhe lirinë e barazinë midis njerëzve. Këtë e gjejmë në nenin e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ku të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë në dinjitet e të drejta. Të drejtat e njeriut janë një pjesë e rëndësishme e teorive të së drejtës dhe një koncept i rëndësishëm filozofiko-politik. Mes të drejtave themelore të qenies njerëzore janë e drejta e lirisë individuale, e drejta për jetën, e drejta e vetëvendosjes, e drejta e fesë etj. Të Drejtat e njeriut përshkruajnë një koncept sipas të cilit të gjithë njerëzve iu takojnë që nga lindja të drejtat universale njerëzore.

Termi “Të drejtat e njeriut” është një koncept që ka ndryshuar gjatë gjithë historisë. Nëse shikohet në mënyrë kronologjike, njerëzimi nuk ka “luftuar” prej fillimit për të gjitha të drejtat që sot ekzistojnë dhe i gëzojmë.


Java 30-të

Muri i kalasë së Durrësit

Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri. Qyteti ka mbi 200,000 banorë dhe njëkohësisht është qendra e prefekturës dhe qarkut të Durrësit. Është një nga qytetet më të lashta dhe më të rëndësishme ekonomike të Shqipërisë. Durrësi është i vendosur në bregdetin qendror shqiptar, rreth 33 km (21mi), në perëndim të kryeqytetit të Tiranës. Ai ndodhet në një nga pikat më të ngushta të Detit Adriatik, përballë porteve italiane të Barit (300 km/186 mi larg) dhe Brindisit (200 km/124 mi larg). Qyteti i Durrësit është i populluar nga rreth 202.000 banorë (me të dhënat e vitit 2009). Në qytetin e Durrësit ndodhet një nga universitetet publike në Shqipëri i quajtur Aleksandër Moisiu. Durrësi mbahet mend edhe si kryeqyteti i shtetit shqiptar nga 7 marsi 1914 deri më 11 shkurt 1920. U bë kryeqytet i Mbretërisë së Shqipërisë nga Princ Vidi, kur ai zbarkoi më 7 mars 1914 e deri në vendimin e Kongresit të Lushnjës të datës 11 shkurt 1920 për shpalljen e Tiranës si kryqytetin e ri të shtetit shqiptar.



Java 31-të

Gjiri dhe kalaja në Porto Palermo

Riviera shqiptare është një zonë bregdetare në qarkun e Vlorës përgjatë Detit të Jonit nën Malësinë e Akrokerauneve në jug të Shqipërisë. Ky rajon fillon me Parkun Kombëtar të Llogarasë, vazhdon poshtë me fshatrat Borsh, Himarë, Qeparo, Piqeras dhe përfundon me Lukovën. Burime të tjera shënojnë Sarandën ose Ishullin e Tongos si pikë mbarimi dhe Vlorën ose Gadishullin e Karaburunit si pikë fillimi.

Zona është një destinacion i rëndësishëm i jetës së natës, ekoturizmit dhe turizmit elitar. Në të gjen karakteristika të fshatrave mesdhetare, kalave të lashta dhe kishave ortodokse. Në fakt, peizazhi alternohet nga qafat malore, plazhet e mrekullueshme, fauna nënujore, shpellat dhe deri tek plantacionet me portokaj dhe limona.

Në vitin 48 p.e.s. Çezari në ndjekje të Pompeit shkeli këtu dhe urdhëroi legjionin të pushojë në Palasë. Më pas ai vazhdoi përgjatë Qafës së Llogarasë deri në një vend që më vonë u quajt Qafa e Çezarit. Si pjesë e masterplanit rajonal, Banka Botërore dhe institucione të tjera po financojnë projekte të infrastrukturës lokale duke përfshirë edhe rikonstruktimin e çative dhe fasadave të shtëpive karakteristike me pamje nga Riviera.


Java 32-të

Kisha e Thethit

Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në rrethin e Shkodrës. Pas reformës së qeverisjes lokale të vitit 2015, ajo u bë pjesë e rrethit Shkodër dhe u shpall Qendër e Mbrojtur Historike nga Qeveria Shqiptare. Fshati është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit, një zonë me bukuri natyrore të dalluara. Fshati ndodhet më në veri të luginës së Shalës, në mes të Alpeve me një bukuri të rallë, në veri të Shqipërisë. Shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500m mbi nivelin e detit, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve, 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në regjistrin e Sanxhakut të Shkodrës në vitin 1485 me emrin "Fusha" dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Në shekullin XVI, administrata osmane e caktoi pjesë të Sanxhakut të Dukagjinit me qendër në Pejë. Në fillim të shekullit XIX, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti ta bashkojë këtë zonë me Bushatlinjtë e Shkodrës.


Java 33-të

Ulpiana

Ulpiana e njohur edhe si Justiniana Secunda është një monument i trashëgimisë kulturore në Graçanicë, Kosovë, një qytet romak i themeluar në fillim të shekullit II nga perandori Trajan. Gërmimet arkeologjike kanë dhënë gjurmë të jetës pararomake dhe Ulpiana është një qytet ilir. Ishte një vend i rëndësishëm për Mbretërinë Dardane. Qyteti ndodhej afër qytetit të sotshëm Lipjan në Kosovë.

Pushtimi romake në shek. I të erës së re solli një varg ndryshimesh në jetën ekomomike dhe kulturore të dardanëve. U ngritën qytete, kështjella, fshatra, objekte kulti, sikurse dhe rrjeti i rrugëve të antikitetit mbi trasetë e rrugëve pararendëse të mbretërisë dardane. Ndër qytetet më të rëndësishme bëhet Ulpiana.

Zbulimet e vendbanimit palafit, varreza dardane, qeramika e fazës së parë të hekurit dhe stolitë e shekullit IV të erës së re, dëshmojnë që Ulpiana u ngrit mbi shtresa parahistorike të një vendbanimi të hershëm dardan. Në fillim të shek. II, gjatë sundimit të perandorit Trajan, Ulpiana kishte fituar statusin e qytetit.

Java 34-të

Kalaja e Harilaçit

Vendbanimet e antikitetit të vonë dhe mesjetare në Kosovë janë vende të rëndësishme historike, ekzistenca e të cilave dëshmohet nga lënda përkatëse e evidentuar dhe e dokumentuar, dhe që konfirmon vazhdimësinë nga periudha romake në një periudhë kalimtare të mesjetës e që njihet si Antikiteti i Vonë. Periudha e antikitetit të vonë, gjegjësisht e njohur edhe si periudha e Mesjetës së Hershme në Dardani - Kosovë, fillon në kohën e Konstandinit të Madh nga Dardania Antike me pranimin dhe përhapjen e krishterimit dhe vazhdon si një periudhë e trazuar për shkak të sulmeve dhe pushtimeve të ndryshme barbare në perandorinë e asaj kohe, qofshin ato nga Gotët, Avarët, Sllavët, etj.

Kjo periudhë karakterizohet kryesisht me kalimin nga vendbanimet e hapura fushore në vendbanimet e fortifikuara kodrinore. Por, gjatë kësaj periudhe kohore ndodhën edhe ndryshime të mëdha si pasojë e krizës së përgjithshme që kishte kapluar Perandorinë Romake. Kjo ndodhi edhe si rezultat i sulmeve dhe dyndjeve barbare duke detyruar banorët vendas që t'i braktisin vendbanimet fushore dhe të tërhiqen (rikthehen) në vendbanimet kodrinore-gjeostrategjike.


Java 35-të

Butrinti

Butrinti ishte një qytet dhe peshkopatë e lashtë ilire dhe më vonë arbërore. Gjasat janë të ketë qenë i banuar që nga kohërat parahistorike. Butrinti popullohej nga kaonët, më vonë nga një koloni romake dhe peshkopatë. Butrinti hyri në rënie në Antikitetin e Vonë, para se të braktisej gjatë Mesjetës, pasi një tërmet i madh përmbyti pjesën më të madhe të qytetit. Në kohët e sotme, është një vend arkeologjik në qarkun e Vlorës, rreth 14 kilometra në jug të Sarandës dhe afër kufirit grek. Ndodhet në një kodër me pamje nga kanali i Vivarit dhe është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Sot, "Bouthrotum" është një titull katolik latin dhe gjithashtu përmban kalanë e Ali Pashës.

Butrinti u themelua nga Enea. Nga korrespondenca e tij e gjatë me Ciceronin, janë zbuluar përpjekjet që bëri për të mbrojtur pronat dhe interesat e butrotasve kundër përpjekjeve të Çezarit për vendosjen e një kolonie romake.


Java 36-të

Monumenti i minatorëve

Mitrovica është një nga vendbanimet më të vjetra në Kosovë dhe një ansambël shumë i rëndësishëm urban. Janë të shumta gjurmët të cilat kanë interes të veçantë dhe dëshmojnë qytetërimin e hershëm të territorit të Mitrovicës, në veçanti nga periudha ilire në antikitet.

Në listën e fundit të përkohshme të Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje, të nënshkruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, në tetor 2013, në Kosovë janë 1428 asete të trashëgimisë kulturore, 126 prej të cilave në rajonin e Mitrovicës. Për shkak të neglizhencës së institucionit dhe situatës së pasluftës, disa nga monumentet janë dëmtuar rëndë.

Kalaja e Rashanit ndodhet rreth 5 kilometra nga Mitrovica. Është ndërtuar rreth shekullit të 5-të ose të 4-të para Krishtit dhe është përdorur për të mbrojtur minierat e rajonit.


Java 37-të

Çarls Darvin

Çarls Robert Darvin (12 Shkurt 1809 – 19 prill 1882) ishte një natyralist anglez, pjesëtar në "Royal Society" dhe themeloi teorinë e evolucionit sipas së cilës të gjitha krijesat zhvillohen me kalimin e kohës. Sipas tij, zhvillimi i krijesave të gjalla nga i njëjti paraardhës, ishte rrjedhojë e një procesi të quajtur seleksionimi natyror (përzgjedhja natyrore). Evolucioni dhe seleksionimi natyror ishin një ide shumë përparimtare për kohën dhe, pavarësisht kritikave e debateve të shumta, shumë shkencëtarë dhe njerëz të thjeshtë të kohës e pranuan atë si fakt. Në vitet 1930-1950, u pranua se selektimi natyror ishte mekanizimi bazë i evolucionit. E thënë ndryshe, zbulimi shkencor i Darvinit është teoria bashkuese e shkencës natyrore duke shpjeguar diversitetin e gjallesave.

Çarls R. Darvin lindi në Shrevsburi, Angli më 12 shkurt të vitit 1809 në shtëpinë e tij "The Mount". Ai ishte fëmija i pestë nga gjashtë fëmijët e doktorit dhe financierit të pasur Robert dhe Suzana Darvinit. Gjyshi i tij ishte Erasmus Darvin, nga ana e babait, dhe gjyshi tjetër i tij ishte Josiah Vedgvood, nga ana e nënës.


Java 38-të

Konferenca e Ballkanit Perëndimor

Konferenca e Ballkanit Perëndimor (anglisht: Western Balkan Conference) është një konferencë ndërkombëtare që mbahet çdo vit që nga viti 2013. Në zonën e Ballkanit Perëndimor bëjnë pjesë shtetet që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Ajo paraqet një rëndësi të veçantë për politikën e zgjerimit të BE-së, pasi në të ftohen krerët e shteteve dhe qeverive, ministrat e jashtëm dhe të ekonomisë së Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, të vendit pritës përkatës dhe përfaqësues të BE-së.

Në vitin 2003, ishte një samit i Ballkanit Perëndimor në Porto Carras në Greqi, i cili përfundoi me premtimin e Selanikut për " mbështetje të pakushtëzuar të Ballkanit Perëndimor në orientimin e tyre evropian " (vorbehaltlosen Unterstützung der westlichen Balkanstaaten in ihrer europäischen Ausrichtung).


Java 39-të

Historia gojore

Historia gojore mbledh kujtime dhe komente personale me rëndësi historike përmes intervistave të regjistruara. Kujtesa është thelbi i historisë gojore, prej së cilës mund të nxirret dhe të ruhet kuptimi. Një intervistë e historisë gojore përbëhet nga një intervistues i përgatitur mirë që merr në pyetje një të intervistuar dhe regjistron shkëmbimin e tyre në format audio ose video.

Regjistrimet e intervistës transkriptohen, përmblidhen ose indeksohen dhe më pas vendosen në bibliotekë ose arkiv. Këto intervista mund të përdoren për kërkime, të publikohen në një dokumentar radio ose video, ekspozitë muzeale, dramatizim ose forma të tjera të prezantimit publik. Regjistrimet, transkriptet, katalogët, fotografitë dhe materialet përkatëse dokumentare mund të postohen gjithashtu në internet. Për të shmangur përsëritjen e gabimeve të zakonshme, historianët gojorë kanë krijuar standarde për kryerjen e intervistave dhe kanë vendosur parime për trajtimin etik me të intervistuarit e tyre.


Java 40-të

Elsa u lind në Fier, ka studiuar letërsi në Fakultetin e Historisë dhe FilologjisëUniversitetin e Tiranës, ku u diplomua në vitin 1999. Ajo u doktorua në vitin 2020 në Studime Letrare me tezën “Letërsi shqipe pa lexuesin e parë. Rasti i tre autorëve: Kasëm Trebeshina, Shpëtim Gina, Jamarbër Marko". Përtej vlerave studimore në fushën letrare, teza është me interes për t'u lexuar, pasi përmban dorëshkrime letrare, shënime e ditarë të shkrimtarëve.

Java 41-të

Botimi i parë, Shkodër (1933)

Kanuni i Lekë Dukagjinit apo i njohur edhe si Kanuni i Lekës ose Kanuni i Maleve është njëri prej varianteve të së drejtës zakonore shqiptare i përcjellur gojarisht, i cili fillimisht u kodifikua dhe u botua në turqisht nga administrata osmane në gjysmën e parë të shekullit XIX kur përpiqej për të ndaluar gjakmarrjen, më pas u mblodh nga klerikët katolikë që shërbyen viseve shqiptare në kapërcyellin e shekujve 19-20. Mbledhjet e klerikëve u botuan në gjuhën shqipe në të përkohshme si "Albania" dhe "Hylli i Dritës". Kodifikimi e parë të plotë të lëndës zakonore pau botimin e parë më 1933 në Shkodër, vepër postum-e e Shtjefën Gjeçovit (i vrarë më 1929) që e mblodhi kryesisht në viset e Mirditës dhe rrethinat e saj.

Emërtimi Kanuni i Lekë Dukagjinit dokumentohet i përdorur që në kodifikimin e Selim Sirri Pashë Gjiritit (1289H/1872); kodifikimi i Gjeçovit përdor edhe termin Kanuni i maleve, që vazhdon ta përdorë si term të ndërkëmbyeshëm me atë të titullit. Prej këtij titulli, fisniku mesjetar është menduar gabimisht si autori i lëndës. Krahas Kanunit të Lekë Dukagjinit dallohen edhe Kanuni i Labërisë, Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Dibrës, Kanuni i Lumës, Kanuni i Bendës, etj.


Java 42-të

Flamuri i ishujve të Fixhit

Fixhi, emri zyrtar Republika e Ishujve Fixhi është një shtet ishullor në Oqeani.Fixhi përbëhet prej një mori ishujsh në Jug të Oqeanit Paqësor.Ka 322 ishuj dhe 522 ishujza.106 prej ishujve janë të pa banuar.87% i sipërfaqes së Fixhit përbëhet nga dy ishujt më të mëdha të vendit, në Viti Levu dhe Vanua Levu.

Edhe para zbulimit të Ishujve Fixhi nga Evropianët në shekullin XVII, jetonin njerëzit në këtë vend. Në gjurmimet që janë bërë në Fixhi janë gjetur objekte si tas e tenxhere që datojnë 1000 vjet para lindjes së Krishtit. Deri në shekullin XIX evropianët kanë vazhduar kolonizimin e Fixhit. Në vitin 1874 Fixhi hyri në kontrollin Anglez. Nga ana e Anglezëve në Fixhi u sollën punëtorët Indian. Në vitin 1970 fitoi pavarsinë. Në vitin 1987 u ekzekutuan dy grusht shtetet e suksesshme, dhe qeverisja e përbashkët Indiano-Fixhi përfundoi. Indianët kërkuan të mbeten nën sovranitetin Anglez, ndërsa Fixhianët vendas përkrahnin pavarsinë. Pas kësaj shumica e Indianëce mërguan në Indi.


Java 43-të

Lufta e Vlorës më 1920, Lufta Çlirimtare e Vlorës ose Lufta e Njëzetës ishte një seri betejash mes forcave të Italisë dhe patriotëve shqiptarë në zonën e Vlorës për zotërimin e qytetit të Vlorës. Lufta zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë. Në këtë luftë duhet përmendur dhe kapedani Hodo Zeqiri që ka qenë një ndër heronjtë e udhëheqësit legjendar të kësaj lufte. Më 3 shtator 1920 pas shumë luftimeve të pabarabarta forcat shqiptare hynë fitimtare në qytetin e Vlorës duke i detyruar pushtuesit italianë të largoheshin, jo vetëm nga rrethi i saj por edhe nga Saranda, Durrësi dhe Shëngjini.


Java 44-të

Legjenda e Mujit dhe Zanave

Mitologjia shqiptare është një zhanër folklorik i përbërë nga tregime që luajnë një rol themelor në shoqëri, të tilla si: mitet, legjendat dhe përrallat. Miti është një rrëfim fantastik që shpjegon lindjen e elementeve të natyrës. Qëllimi i mitit është të shpjegojë origjinën e botës e të njerëzve. Protagonistë të miteve mund të jenë perënditë, njerëzit me fuqi të jashtëzakonshme, heronjtë, përbindeshat dhe krijesa të tjera fantastike. Koha se kur ka ndodhur ngjarja nuk është e përcaktuar.

Mitologjia ilire dhe pasardhësja e saj mitologjia shqiptare ka ndikuar në të gjithë njerëzit dhe në brezat e sotëm duke dhënë mesazhe dhe argëtim tek fëmijët. Mitologjia iliro-shqiptare ka ndikuar edhe në mitologjitë e tjera.


Java 45-të

Busti i Gjergj Arianitit

Gjergj Arianiti (1383 - Durrës ose Shkodër, 1461-63) ka qenë një fisnik arbër që drejtoi beteja të shumta kundër Perandorisë Osmane. Ishte i ati i Donikës, aleat dhe rival i Skënderbeut si dhe xhaxhai nga i Moisi Golemit. Ishte ndër fisnikët e Besëlidhjes së Lezhës, por e la aleancën pas humbjes në Berat. Sipas Nolit, Arianiti gëzonte famë ndërkombëtare si mbrojtës i Krishtërimit, edhe pse nuk u konvertua nga ortodoks në katolik.


Java 46-të

Artikulli do të shfaqet sapo të zgjidhet.

Java 47-të

Ismail Qemali në 1-vjetorin e 28 nëntorit, 1913

Shpallja e Pavarësisë është shpallja e pavarësisë së vilajetit shqiptar nga Perandoria Osmane në kushtet e Luftës së Parë Ballkanike. Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 40 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.

Arritja e kryengritjes shqiptare të 1912 u dha të kuptonte shteteve ballkanike se gjendja e Perandorisë Osmane ishte e dobët. Mbretëria e Serbisë ishte kundër planit të Vilajetit Shqiptar, duke parapëlqyer një shkartisje të Rumelisë mes katër shteteve ballkanike.


Java 48-të

Në kah orar, nga lart në të majtë:Djaloshi shqiptar kalon kufirin për në Jugosllavi më 12 prill 1939; Ballistë dhe komunistë në konferencën e Marrëveshjes së Mukjes; Partizanët marshojnë drejt Tiranës pas çlirimit të saj, 29 nëntor 1944

Lufta e Dytë Botërore e gjeti Shqipërinë të pushtuar nga Italia, e cila e kishte shndërruar në një provincë të vetën me një qeveri kukull. Rezistenca kundër pushtimit italian nisi nga xhandarmëria e Mbretit Zog e drejtuar nga Abaz Kupi dhe më tej u ndoq nga Balli Kombëtar dhe Fronti Nacional-Çlirimtar me bindje komuniste drejtuar kundër forcave pushtuese italiane (deri në 1943) dhe më pas kundër forcave gjermane në Shqipëri, lëvizje e cila çoi në çlirimin e vendit më 29 nëntor 1944.

Qendra për lehtësim të popullsisë civile (Gjenevë) raportoi se Shqipëria ishte një nga vendet më të rrënuara në Evropë. Rreth 60.000 shtëpi ishin shkatërruar dhe rreth 10% e popullsisë ishte lënë e pastrehë.

Shqipëria u sulmua nga Italia më 7 prill 1939 si nga ajri dhe nga deti. Në tetor të vitit 1940, forcat pushtuese e pushtuan Shqipërinë si një bazë ushtarake për të pushtuar Greqinë, por ata u zmbrapsën shpejt në Shqipëri. Pasi Gjermania naziste mundi Greqinë dhe Jugosllavinë në vitin 1941, krahinat e Kosovës dhe Çamërisë iu bashkëngjitën Shqipërisë, duke krijuar kështu një shtet shqiptar të bashkuar kombësisht.


Java 49-të

Stema e Bashkisë së Ulqinit

Ulqini (malazisht: Ulcinj dhe Улцињ, italisht: Dulcigno) është qytet bregdetar në jugun e Malit të Zi, i cili laget nga Deti Adriatik. Është një pikë turistike e rëndësishme dhe qyteti me rrethinën e tij posedon një pasuri të madhe kulturoro-historike dhe natyrore.

Ulqini është themeluar rreth shekullit V p.e.s. nga ilirët. Në vitin 163 p.e.s. u pushtua nga Perandoria Romake dhe pas ndarjes së perandorisë i takon Perandorisë Bizantine. Gjatë mesjetës ishte nën udhëheqjen sllave dhe pastaj nën atë të Balshajve. Në këtë kohë ishte qendër e rëndësishme e pushtuesve të rinjë. Më 1405 u morr nga Republika e Venedikut e pasaj më 1571 nga Perandoria Osmane. Në Ulqinin osman jetoi vitet e fundit të jetës edhe "mesia i rremë", Sabataj Cevi. Më 1880 e pushton Principata e Malit të Zi. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, Ulqini do të përjetoj edhe epokën e tij të artë, që u ngrit nga turizmi i nivelit të lartë.

Ulqini është qendra e Komunës së Ulqinit dhe e bashkësisë shqiptare në Mal të Zi. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Ulqini numëron 10,707 banorë, ndërsa komuna numëron 19,921 banorë.


Java 50-të

Disa Luftëtarë Japonez (Samurai)

Feudalizmi, ashtu si në shumë vende të tjera të globit, u zhvillua edhe në Japoni. Në njohje të parë, Japonia është një varg ishujsh në Oqeanin Paqësor. Jeta feudale në Japoni mori nuanca të ndryshme nga ato të bashkësive evropiane dhe shumë shpesh, për shkak të largësisë së saj me Shqipërinë, ajo trajtohet në mënyrë shumë të vakët në librat shkollorë ose jashtë shkollorë shqipëtarë. Për të pasur një imazh të qartë të feudalizmit në këtë vend, duhet parë fillimi dhe organizimi shoqëror në kohën para feudale. Si burim më i mirë mund të përdoren pjesë nga novelat japoneze si edhe copëzat të shkruara në atë periudhë kohe.

Marko Polo shkruan në librin e tij, “Përshkrimi i Botës” për disa njerëz mbresëlënës që jetonin në lindje të Kinës. Pa dyshim që ai e kishte fjalën për popullsinë japoneze që jetonte e izoluar nga pjesa tjetër e botës, në një varg ishujsh në Japoni. Është e pamundur të kuptosh historinë e një populli pa ditur origjinën e tyre më parë. Në këto ishuj, në fillim jetonin një popullsi e quajtur Ainu, të cilët zakonisht ishin peshkatarë dhe gjuetarë. Peshkimi kushtëzohej nga rrethimi i ishujve me oqeanin dhe ishte një mjet i mirë fitimi (në aspektin ushqimor). Më pas, njerëzit që erdhën nga territoret e brendshme, sollën me vete kulturën e orizit. Filloi kështu punimi i tokës duke formuar fshatrat, por zejtaria dhe punimet e bronzit nuk mbetën pas. Më vonë, japonezët do të influencoheshin nga idetë kineze, ku mund të përmendet shkrimi hilografik (Katakana dhe Hiragana, që kanë në thelb mënyrën e shkrimit kinez), megjithatë japonezët ruajtën traditat e tyre dhe zakonet tradicionale për shkak të izolimit të tyre në atë tokë vullkanike mbi Paqësor.

Si një vend në pjesën veriore të brigjeve të Azisë, Japonia përbëhet nga katër ishuj të mëdhenj, Hokaido, Kjushu, Sikoku dhe Honshu. Edhe pse tokat në këtë vend janë përgjithësisht pjellore, relievi i pasur malor lë vend shumë pak për fushat e mbjellshme. Rreth 20 përqind e tokave mund të përdoren për bujqësi. Në mënyrë për të fituar më shumë toka pjellore, u donte formimi i bregoreve në kodra. Dhe si gjithmonë, në çdo vend, mungesa e tokave do të sillte luftëra të shumta në vazhdim.

Për të theksuar është se feudalizmi në Japoni, lindi pak më parë se në Evropë dhe përfundoi shumë më vonë.


Java 51-të

Bust i Perikliut që mban shënimin “Perikliu, i biri i Ksantipusit, athinas”. Mermer, kopje romake e origjinalit grek të vitit 430 p.e.r.

Perikliu (rreth 495–429 p.e.r, Greqisht: Περικλῆς, që do të thotë "i rrethuar nga lavdia") ishte një burrë shteti, orator dhe gjeneral i rëndësishëm me ndikim në Athinë gjatë Epokës së Artë—më hollësisht, periudha midis luftërave Persiane dhe Peloponeziane. Ai kishte prejardhje, nga mamaja, nga familja Alkmeonide.

Perikliu pati aq shumë ndikim në shoqërinë athinase, saqë Thukididi, historian i kohës së tij, e quajti "qytetarin më të lartë të Athinës". Perikliu e ktheu Lidhjen e Delosit në një perandori athinase dhe i udhëhoqi bashkëqytetarët e tij gjatë dy viteve të para të Luftës së Peloponezit. Periudha gjatë së cilës ai udhëhoqi Athinën, nga 461 në 429 p.e.r, ndonjëherë njihet si "Epoka e Perikliut", megjithëse periudha e përmendur mund të përfshijë edhe kohë më të herëta, si Luftërat Persiane, ose deri aq vonë sa shekulli që pasoi.

Perikliu ngriti artet dhe letërsinë; kjo qe një arsye kryesore pse Athina mbajti reputacionin e të qenit qendra edukative dhe kulturore e botës greke të lashtë. AI filloi një projekt ambicioz për ndërtimin e shumicës së strukturave mbijetuese në Akropol (duke përfshirë dhe Partenonin). Ky projekt e zbukuroi qytetin, nxori në pah lavdinë e tij dhe i dha punë njerëzve. Më tej, Perikliu e rriti kaq shumë demokracinë athinase, saqë kritikët e quajnë atë një populist.


Java 52-të

Stema e Republikës së Kosovës (Dardanisë)

Kosova (historikisht Dardania, serbisht: Косово Kosovo), zyrtarisht Republika e Kosovës (serbisht: Република Косово Republika Kosovo), është një shtet i pavarur në Evropën Juglindore. Shtrihet në qendër të Siujdhesës Ballkanike dhe kufizohet në veri dhe në lindje me Serbinë, në juglindje me Maqedoninë e Veriut, në jugperëndim me Shqipërinë dhe në perëndim me Malin e Zi. Ka një sipërfaqe prej 10.887km² dhe popullsi prej 1.9 milion banorësh. Shumica dërrmuese e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa minoritetet tjera përfshijnë , turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptasit dhe goranët.

Me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në botë. Është vatër e stabilitetit në rajon, si dhe synon anëtarësimin në NATO, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian. Kosova është vatër e vazhdimësisë së qytetërimit të lashtë iliro-dardan dhe e zhvillimit të gjuhës shqipe si pasardhëse e vetme e gjuhëve ilire. Në shek. IV p. K. u themelua Mbretëria Dardane, ndërsa më vonë pasuria nëntokësore e Kosovës luajti rol të rëndësishëm në ekonominë e Perandorisë Romake, Perandorisë Osmane dhe ish-Jugosllavisë. Megjithatë, politikat antishqiptare, luftërat, statusi politik dhe keqadministrimi ndërkombëtar e i politikës vendase në vitet e fundit kanë bërë që Kosova të radhitet si vendi më i varfër në Evropë dhe ndër më të varfrit në botë. Më 29 qershor u nënshkrua anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Ish-njësi federale e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Kosova është vendi i fundit që e fitoi mëvetësinë si rrjedhojë e shpërbërjes së përgjakshme të kësaj federate. Në vitin 1990, Kosova u shpall republikë dhe në vitin 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (19891999). Qëndresa paqësore mbarëpopullore, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare (19971999) dhe ndërhyrja ajrore e NATO-s në pranverë të 1999 i dhanë fund genocidit të Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Trupat e NATO-s hynë në Kosovë në qershor 1999, ndërsa po largohej ushtria serbe, dhe Kosova u administrua nga një mision i Kombeve të Bashkuara deri në 2008. Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran dhe deri më tani është njohur nga 117 vende në mbarë botën, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila pretendon sovranitet mbi gjithë territorin kosovar si Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë.


Java 53-të

Busquets duke luajtur për Barcelonën në 2015

Sergio Busquets Burgos (Katalonisht: [busˈkɛts], Spanjisht: [ˈseɾxjo βusˈkets]; lindur më 16 korrik 1988) është një futbollist profesionist spanjoll i cili luan si mesfushor mbrojtës për klubin spanjoll Barcelona dhe kombëtaren spanjolle.

Busquets u bë pjesë e ekipit e parë të Barcelonës në korrik 2008, dhe shpejt u bë një lojtar i rëndësishëm i ekipit. Në sezonin e tij të parë, Busquets ndihmoi Barcelonën të fitonte tripletën, një arritje të cilën e përsëriti edhe në sezonin 2014–15.

Ai e ka shpenzuar të gjithë karrierën me Katalanasit, duke luajtur mbi 500 ndeshje zyrtare. Ai u bë lojtar i Spanjës në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë ka zhvilluar më shumë se 100 paraqitje.

Busquets ndihmoi Spanjën të fitonte Kupën e Botës 2010 dhe UEFA Euro 2012. Ai ka përfaqsuar kombin e tij edhe në dy edicione të Kupës së Botës dhe në UEFA Euro 2016.


Java 54-të

Hamurabi (në këmbë), paraqitur duke marrë shenjën mbretërore nga Shamashi. Hamurabi mban duart mbi gojën e tij si shenjë lutjeje. (reliev i pjesës së sipërme të mbishkrimit të kodit të Hamurabit)

Hamurabi (në gjuhën akadiane nga gjuha amorite ʻAmmurāpi, "i afërmi është shërues," nga ʻAmmu, "i afërm," dhe Rāpi, "shërues"; (vdiq rreth 1750 p.e.r)) ishte mbreti i gjashtë i Babilonisë (do të thotë, i Dinastisë së Parë Babilonase) nga 1792 p.e.r deri më 1750 p.e.r. U bë mbreti i parë i Perandorisë Babilonase pas abdikimit të të atit, Sin Muballit, dhe zgjeroi kontrollin e Babilonisë në Mesopotami duke fituar disa luftëra me mbretëritë fqinje. Ndonëse perandoria e tij kontrollonte të tërë Mesopotaminë në kohën kur ai vdiq, pasardhësit e tij qenë të paaftë të ruanin perandorinë.

Hamurabi njihet për një grumbull ligjesh të përmbledhura në Kodin e Hamurabit, një nga kodet e para ligjore të shkruara në histori. Këto ligje ishin të shkruara në tableta guri (stele) 2.4 metra të gjata, me origjinë të panjohur, që u zbuluan në Persi në 1901. Duke pasur reputacionin modern si legjislator i lashtë, portreti i Hamurabit gjendet në shumë ndërtesa qeveritare në të gjithë botën.